Kush ka pasur dilema apo paqartësi për organizatorët e protestës apo agjentura, dje duhet t’i ketë hequr këto mendime nga koka nëse ka të tilla. Mijëra qytetarë dhanë një mesazh të qartë dhe të fortë, duan ndryshim, duan një Shqipëri të barabartë në shanse, një Shqipëri meritokratike e jo ku 2 individë vendosin për fatin e miliona të tjerëve. Pa harruar spitalet, shkollat, rrugët, e çdo gjë tjetër që është bërë keq në këto 13 vite e 33 vite demokraci.

​Mesazhi është i qartë ndaj atyre që janë dhe problemi, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Lidershipi i tyre duhet të kuptojë që epoka e liderve Sali Berisha dhe Edi Rama ka përfunduar, dhe kjo jo në sytë e militantëve, por në sytë e shqiptarëve.

Modeli i tyre është kapitull i mbyllur në histori, mirë a të keq, këtë do e gjykojë historia, por tanimë mesazhi është i qartë: largojini sa nuk është vonë!

Qytetarët e thjeshtë ua bënë më të thjeshtë qytetarëve partiakë, hiqini, shpëtoni veten dhe vendin.

Koha është për një mendësi të re, për liderë politikë pa asnjë afiliacion me të kaluarën komuniste. Koha nuk është për zombi politikë, por për liderë të rinj, europianë.

Për liderë që respektojnë mendimin qytetar. Për liderë që respektojnë mendimin dhe shumicën e partisë, siç qartazi nuk e bëri PD dhe Sali Berisha me primaret.

Koha është për politikanë që nuk mbajnë në detyrë njerëz me akuza të rënda për korrupsion, siç e bën Edi Rama. Koha është për plotësuar premtimet që ju jep qytetarëve, jo duke gjetur justifikime. Ka shumë për të thënë, por kjo është koha për një Shqipëri të re, për një mendësi të re, e jo për qasje hilacake me sjellje perëndimore e veprime totalitare si krerët aktualë politikë.

​Nëse nuk e kuptojnë mesazhin, më keq për ata, do të thotë që janë shkëputur nga realiteti, dhe pyetja është: për çfarë duhen politikanët jashtë realitetit?!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb