Nga Genc Burimi

“Gjithçka fillon me ligje të mira, duhet të ketë konsultim kuptimplotë para se të miratohen”. Me këtë alarm të ngritur nga ambasadorja e re e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira, duhet përmbledhur takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian. Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima, e cila përfaqëson grupin më të madh, atë të Partive Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian, i mëshoi të njëjtit mesazh: mazhoranca të mos veprojë pa kundërpushtete dhe pa kontroll. Eurodeputetja nga Luksemburgu bëri thirrje publikisht që mazhoranca të mos ndërhyjë te drejtësia dhe veçanërisht te SPAK.

Fakti është se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë po përballet me një paradoks të rrezikshëm. Mazhoranca, nën urdhrat e Edi Ramës, ka vënë në jetë një strategji të mirëmenduar ligjore, saktësisht në kah të kundërt me atë që kërkon Brukseli. Domethënë, mazhoranca po ndërton një sistem legal falë votave të saja në Parlament për evitimin e transparencës, kontrollit dhe llogaridhënies para të gjitha institucioneve që mishërojnë kundërpushtetet. Anashkalohet Parlamenti (duke refuzuar çdo komision hetimor parlamentar), Kontrolli i Lartë i Shtetit – KLSH (përmes ligjeve speciale), dhe organet e drejtësisë (përmes intimidimeve verbale apo sistemit te rrogave të magjistratëve, apo duke e injoruar drejtësinë, siç ishte vota kundër heqjes së imunitetit të Ballukut).

Vetëm në harkun kohor të dy viteve të fundit, nga mesi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2026, kjo mazhorancë – teksa bën sikur negocion sipas kushteve të BE-së – ka miratuar praktikisht pa debat tri ndryshime ligjore që do të kishin krijuar tërmet politik në çdo vend të BE-së. Ato janë ligjet për “KAYO-n”, “Qeverisjen Elektronike” dhe “Parqet Teknologjike”, të cilat i kanë mundësuar kampit të Edi Ramës anashkalimin e legjislacionit në fuqi për Prokurimet Publike dhe nxjerrjen jashtë rrezes së kontrollit shtetëror të miliona eurove asete dhe fonde publike. Kjo është një teknikë sa legale aq edhe cinike, që rrezikon të ripërsëritet në javët dhe muajt në vazhdim te barnat, energjia e kudo ku ka para të taksapaguesve dhe ku kontrolli bëhet me ligj i pamundur.

Një teknikë ligjore “alla shqiptarçe”: Krijimi i shoqërive mikste shtet-privat që nuk u nënshtrohen tenderave
Strategjia e Ramës si shef i mazhorancës nuk është e izoluar. Ajo shtrihet në sektorët më strategjikë dhe më të financuar të ekonomisë shqiptare nga taksat, duke krijuar “ishuj juridikë” ku rregullat evropiane të garës nuk vlejnë më. Kjo strategji është bërë fakt i kryer në rastin e kompanisë “KAYO”, dhe është në rrugë e sipër në rastin e “AKSHI-t”, ku ekuivalentja e KAYO-s është kompania ADS.

A. Skema e “aksionerit enkas të pafuqishëm”, rasti KAYO
Me ligjin special Nr. 88/2024 u krijua kompania shtetërore KAYO Sh.A., me qëllimin zyrtar, gjoja, ringritjen e industrisë së armatimeve. Në praktikë, ligji lejon transferimin e pronave të ushtrisë dhe shpenzime me miliona euro nga buxheti i shtetit në përfitim të aktorëve privatë, pa asnjë tender e garë.

Shteti (përmes kompanisë KAYO) nuk kërkoi qëllimisht më shumë se 20% të aksioneve te kompanitë e përbashkëta të krijuara me aktorë privatë (Timak Defense, Advanced Arms Technology, M.K.D etj.), duke ia lënë 80% të aksioneve privatëve të përzgjedhur pa garë (Ron Yeffet, Arjeta Puço, Emiljano Dusha etj.). Në të drejtën tregtare, aksioneri me 20% (pra shteti) nuk kontrollon asgjë, nuk bllokon dot asnjë vendim dhe nuk bën dot asnjë vërejtje se ku shiten armët në rastin konkret, me sa kosto prodhohen apo ku shkojnë fitimet.

Avantazhi i mëtejshëm është gjetiu: sipas ligjeve shqiptare, kur shteti zotëron më pak se 50% të aksioneve, Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) i hiqet automatikisht e drejta për kontroll, sepse kompania konsiderohet si private. Operacione opake financiare pa tendera dhe tjetërsimi i pronave rrjedh atëherë mëse natyrshëm nga sistemi “Kayo”. Shteti nuk fut shumë para në kapital në këto kompani ku shumicën e ka privati, por fut kapital në “natyrë” – reparte ushtarake dhe troje strategjike qe behen prone e privatit “për një copë bukë”, pa kaluar asnjëherë në ankand publik. Pa llogaritur milionat qe paguhen nga buxheti I Mbrojtjes qe cakton pa tender si nenkontraktor kompanine e zoteruar nga privati misheruar nga Rof Yeffet.

B. Rasti Akshi
Një tjetër sektor ku shpenzohen shumë para publike janë sistemet shtetërore të teknologjisë së informacionit (TIK). Shteti kishte krijuar një agjenci: AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit). AKSHI, me detyrim ligjor, kryen tendera publikë që nga menaxhimi i e-Albania deri te proceset e sigurisë kibernetike kombëtare. Por ja që me një ligj special të shkurtit 2026 kjo gjë ndryshoi, me qëllimin e vetëm për të gjetur mënyrën që legalisht të mos bëhen më tendera. Ligji i ri Nr. 25/2026 I eviton AKSHI-t të vazhdojë të organizojë tendera. Ligji i ri krijon një kompani tregtare. Më 14 prill 2026 themelohet shoqëria “Albanian Digital Solution” Sh.A. (ADS). Sa për sy e faqe kjo kompani (ADS) për momentin zotërohet 100% nga shteti. Por, atëherë pse u krijua? Pikërisht sepse ADS është kompani tregtare shteterore, AKSHI nuk ka të drejtë t’i vërë konkurentë përballë me tendera. Pra, kjo kompani shtetërore mund të zgjedhë pa garë në treg nënkontraktorët që ajo dëshiron pa i dhënë llogari askujt. Por, meqënëse shteti ka 100% te aksioneve , Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të fuste hundët për të parë nëse preferohet më shumë një kompani nënkontraktore sesa një tjetër. Për ta evituar këtë rrezik kontrolli, ligji 25/2026 ka parashikuar një perlë tjetër: gati gjysma e kapitalit të kompanisë shtetërore ADS (ose 49% e aksioneve) mund t’i jepet një kompanie private. Thuhet në ligjin e ri se qeveria, me një VKM (pra pa kaluar nga Parlamenti), mund të hapë procesin e shitjes së aksioneve (deri në 49%) në përfitim të një “Partneri strategjik”, në momentin kur qeveria vlerëson se kompanisë shtetërore ADS i nevojitet ekspertizë që shteti nuk e disponon. Kur qeveria do zgjedhi kujt do ia japi gjysmen e aksioneve te ndërmarrjes shtetërore ADS atëhere paratë e shqiptarëve që me parë me Akshin kalonin nëpërmjet filtrit të tenderave do të ndahen me privatin fatlum. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk do të ketë të drejtë të kontrollojë veprimtarinë e ketij aksioneri privat apo nënkontraktorët që ai do të përzgjedhë.

Ligjet speciale për përjashtimin nga taksat: Rasti “Durana”
Parqe teknologjike apo “zona të lira” industriale ka kudo në Europë ku, për të zhvilluar ekonomikisht një rajon, krijohen zona pa taksa për kompanitë që instalohen aty. Ligji special i mazhorancës realizoi një tjetër “kombinacion alla shqiptarçe”, me premisa të fuqishme korrupsioni. Bëhet fjalë për ligjin special Nr. 35/2026, i votuar më 2 prill 2026, që ndryshoi ligjin bazë të vitit 2022. Ligji i vitit 2022 ekziston kudo në Evropë, por ndryshimi i ri solli një dallim gjigand. Në ligjin fillestar, një kompani e instaluar fizikisht në një park teknologjik përfitonte për 10 deri në 15 vjet: 0% Tatim mbi Fitimin, 0% Tatim mbi rrogat e punonjësve, 0% TVSH, 0% Taksë mbi Pasurinë dhe Ndërtesën, si dhe 0% taksë të Infrastrukturës.

Ligji i ri futi një koncept të paparë në Evropë: atë të përfitimit të këtyre avantazheve të jashtëzakonshme fiskale edhe po të mos jetë kompania e instaluar fizikisht në park. Mjafton për këtë që kompania përfituese të deklarojë se ajo zhvillon në distancë të njëjtin aktivitet që do të kishte kryer po të kishte qenë fizikisht në zonën e parkut “Durana” (domethënë kërkim shkencor, inovacione teknologjike në prodhim softuerësh, siguri kibernetike, bioteknologji ose robotikë). Por kush e vendos nëse kompania po e kryen vërtet në distancë këtë aktivitet që në realitet nuk mund të verifikohet? E vendos Kryeministri me VKM. Domethënë, një kompani në zemër të Tiranës, nëse e ka mirë me Kryeministrin, përfiton nga regjimi me 0 taksa thjesht sepse ka deklaruar se po kryen kerkim shkencor, kurse kompania konkurrente që s’e ka këtë miqësi paguan të gjitha taksat si gjithë të tjerët.

Më skandaloze akoma, këto kompani “mike” me pushtetin jo vetëm që përjashtohen nga taksat, por mund të përfitojnë edhe nga favore në marrjen e tenderave publikë falë statusit që u jep “Durana” virtuale. Për shembull, kur një ministri dëshiron të bëjë një prokurim për një inovacion, ajo mund të vendosë një rregull në tender ku thotë: “Këtë softuer specifik do t’ia nënkontraktojmë vetëm një kompanie që ka statusin ‘Parku Durana'”. Meqenëse ky status jepet nga qeveria, tenderat u shkojnë automatikisht kompanive të përzgjedhura prej saj. Ky është një benefit i dyfishtë për këto kompani: “pa taksa dhe me tendera të garantuar”.

Përplasja e pashmangshme me BE-në si pasojë e shkeljes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit
Kjo strategji e “qeverisjes me pazare” (Rule of deals) në vend të “qeverisjes me ligj” (Rule of law) ku duhet të mbizotërojë gara, mbart rreziqe të rënda në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Këto praktika përbëjnë shkelje të Nenit 70 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Ky nen e detyron Shqipërinë të ofrojë konkurrencë të lirë, të ndershme dhe të hapur për të gjithë operatorët ekonomikë (përfshirë edhe ata evropianë).

Duke mbyllur prokurimet në fushën e armatimeve apo në blerjet në fushën e teknologjive të informacionit falë krijimit të kompanive ku shteti aksioner nuk ka detyrim për të bërë tendera, apo duke u ofruar disa kompanive avantazhe të padrejta fiskale, Shqipëria shkel hapur marrëveshjet dypalëshe me BE-në.

Në nëntor të vitit 2025, në vlerësimin e Kapitullit 5 të negociatave për anëtarësim, kushtuar Prokurimit Publik, Komisioni Evropian e komentoi situatën si një progres të kufizuar (me vlerësimin 50/100), duke nënvizuar se nevojitet përafrim i plotë i ligjit për partneritetet publiko-private dhe forcimi i kapaciteteve të kontrollit . Në vend që të reflektonte për mirë, Rama promovoi gjatë vitit 2026 siç e pamë, ligje speciale që e thellojnë edhe më shumë hendekun me praktikat në fuqi në BE.

Konkluzion
Mesazhi i përcjellë nga Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri është i qartë: nuk mund të abuzohet ma kauzën e mbylljes sa më shpejt të kapitujve për integrim duke e përdorur atë si pretekst për votim ligjesh speciale me urgjencë dhe pa konsultim publik. Krijimi i strukturave si KAYO te armatimet apo ADS te AKSHI, ku Shteti shërben thjesht si mburojë ligjore për të evituar tenderat dhe kontrollet e KLSH-së, përfshirë edhe praktikat e dyshimta të “Duranës virtuale”, janë qasje të rrezikshme për Shqipërinë që e fusin vendin në rrugën korrupsionit të ligjeruar. Ato komprometojnë rëndë negociatat për anëtarësim në BE, pikërisht tani që ato kanë hyrë në fazën e tyre më kritike. Shqetësimi ndaj ligjeve speciale është i dukshëm në mbledhjet e fundit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku eurodeputetët kanë kërkuar me ngulm transparencë absolute në hartimin e ligjeve dhe llogaridhënie reale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb