Një tjetër mesazh i fortë, i shoqëruar me ironi dhe sarkazëm ndaj sistemit aktual zgjedhor në Shqipëri, është përcjellë nga një protestues përpara godinës së Kryeministrisë. Ai ka marrë mikrofonin duke treguar një ndodhi të përfytyruar nga dita e votimit për të goditur fenomenin e listave të mbyllura partiake.
Qytetari vuri në dukje pamundësinë e zgjedhësve për të përzgjedhur kandidatët që duan vërtet, duke u ndalur te figurat e vjetra të politikës.
“Mora letrën e votimit për të votuar dhe isha në dilemë: të votoja Zegjine Çaushin se më thoshte zemra, apo te votoja të ardhmen, Sali Berishën, 83 vjeç? Thashë po ia jap Zegjinesë se e dua shumë. Kur hap zarfin me fletën e votimit, nuk i gjeja emrin,” u shpreh ai me ironi.
Në mbyllje të fjalës së tij, protestuesi i drejtoi një thirrje të drejtpërdrejtë kreut të qeverisë, duke kërkuar një reformë që i kthen sovranitetin dhe lirinë e plotë votës së qytetarëve.
“Edi Rama të na japë mundësinë të votojmë kë duam ne, jo ata që na servirni ju në lista!” përfundoi protestuesi mes të qeshurave dhe miratimit të turmës.
