Përplasjet në Aeroportin e Vlorës kanë vijuar edhe këtë të martë, ku kamionë të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit kanë bllokuar portën kryesore, duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të kompanisë MABCO të Behgjet Pacollit.
Sipas informacioneve paraprake, qëllimi ka qenë moslejimi i vijimit të punimeve nga grupet e kontraktuara nga MABCO. Në momentet e para të përplasjes, disa prej nënkontraktorëve të MABCO-s kanë arritur të futen me forcë në ambientet e kantierit, por më pas hyrja është mbyllur sërish dhe aktualisht vijon të mbahet e bllokuar nga dy kamionë të vendosur në portën kryesore. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa konflikti mes palëve vijon të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e punimeve për aeroportin.
Pas incidenteve mëngjesin e së martës, investitori Behgjet Pacolli reagoi në rrjetet sociale, duke u shprehur se grupet kriminale kanë bllokuar aksesin në Aeroportin e Vlorës, ku kompania MABCO ka investuar 310 milionë euro, duke kërkuar hetime të menjëhershme nga SPAK.
Pacolli shtron një pyetje drejtuar institucioneve: “Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?”
Ky akt sipas Pacollit vë në diskutim ekzistencën e shtetit ligjor, vë në pikëpyetje autoritetin e shtetit dhe se a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë?
Kompania MABCO e Behgjet Pacollit mori kontrollin e ambienteve më 22 prill pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu të drejtën e administrimit. Pasi u futën brenda kantierit të Aeroportit të Vlorës, drejtuesi i MABCO-s Behgjet Pacolli bëri me dije se kompania “2A” kishte dëmtuar dhe thyer pajisje dhe objekte me vlerë, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik.

