Giovanni Malago është presidenti më i ri i Federatës Italiane të Futbollit. Ai u zgjodh me 68.58 % të votave nga asambleja e FIGC-së, e thirrur për të siguruar një udhëheqje të re për futbollin italian pas dorëheqjes së Gabriele Gravinës pas dështimit të ekipit kombëtar për t’u kualifikuar për Kupën e Botës 2026.
“Kjo ndjenjë përgjegjësie është vërtet e thellë dhe prekëse. Nuk mund të bëj asgjë vetëm, por me ju mund të bëj gjithçka.”, ishin fjalët e para të presidentit të sapozgjedhur në krye të futbollit italian, drejtuar asamblesë që sapo e kishte zgjedhur. Këshilltarët federalë u konfirmuan gjithashtu: Marotta, Campoccia dhe Chiellini për Serie A. Ndërkohë mediat italiane shohin më afër pankinës “azzurre”, Antonio Conten pas zgjedhjes së Malago, ndërsa edhe një legjendë si Paolo Maldini mund ti bashkohet stafit të kombëtares italiane.
Prezent në punimet e asamblesë ishte edhe Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në cilësinë e Zv.Presidentit të UEFA-s, mori pjesë në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku Giovanni Malagò u zgjodh Presidenti i ri i futbollit italian.
Duka mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të UEFA-s, duke përcjellë mesazhin e mbështetjes së institucionit më të lartë të futbollit europian për futbollin italian. Ai përcolli përshëndetjet e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e FIGC-së si një nga federatat më të rëndësishme dhe me më shumë ndikim në futbollin europian.
