Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me tensionet e dy ditëve të fundit në Aeroportin e Vlorës,  ku kamionë të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit kanë bllokuar portën kryesore, duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të kompanisë MABCO të Behgjet Pacollit.

Zhupa ironizon situatën dhe deklaron se aksionerët i ka zënë “mallkimi i flamingove”.

Deputetja ka rikthyer edhe një herë në vëmendje shkeljet e ligjit të artikuluar nga ekspertët dhe denoncimet e saj në Kuvend përgjatë vitit 2021.

Zhupa deklaron se nuk u dëgjua zëri i ekspertëve për rrezikun që aeroporti i kanos ekosistemit dhe akuzon qeverinë Rama se vendos interesat e ngushta mbi ligjin dhe interesin publik.

Postimi i deputetes Zhupa:

“Mallkimi i flamingove” ka zënë aksionerët e aeroportit të Vlorës dhe  “Revolucioni i Flamingove” do të zërë edhe qeverinë e korrupsionit, që mendoi se mund të sfidonte ligjin, natyrën dhe interesin e qytetarëve pa pasoja.

Më 28 nëntor 2021, qeveria inauguronte me bujë Aeroportin e Vlorës si një histori suksesi. Por pas fasadës propagandistike fshihej një projekt i ngritur mbi shkelje të ligjit. U miratua një leje nga KKRT pa u kryer Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, pa respektuar konventat ndërkombëtare dhe pa zbatuar legjislacionin shqiptar që mbron zonat e mbrojtura.

Në seancat e Kuvendit e kam denoncuar këtë projekt si një kërcënim serioz për ekosistemin Vjosë-Nartë. Me argumente të bazuara në ligje, konventa ndërkombëtare dhe në raportet e Bashkimit Europian, të cilat paralajmëronin qartë për pasojat e këtij vendimi. Por pushteti nuk pyeti as për ligjin, as për ekspertët, as për interesin publik.

Në vend që të dëgjonin paralajmërimet, vendosën aksionet e aeroportit në zyrat e ministres. Sot, të njëjtët persona përballen me procese gjyqësore për një pronë që u përket shqiptarëve dhe për një ndërtim në një zonë të mbrojtur, të konsideruar problematike si për biodiversitetin, ashtu edhe për sigurinë e aviacionit për shkak të pranisë së shpendëve.

Kjo është pasoja e një qeverisjeje që vendos interesat e ngushta mbi ligjin dhe interesin publik”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb