Një denoncim i mbërritur në redaksinë e BalkanWeb ngre alarmin për situatën problematike që prej muajsh vijon në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, në kilometrin e pestë, ku po zhvillohen punime për ndërtimin e një mbikalimi.
Sipas qytetarëve, trotuari i ndërtuar për këmbësorët është asfaltuar dhe aktualisht po përdoret si korsi qarkullimi për automjetet, duke i detyruar këmbësorët të lëvizin në kushte tejet të rrezikshme.
Në fotografitë e dërguara në redaksi shihet edhe një autobus i linjës, i cili ka mbetur i bllokuar teksa kalonte në hapësirën e ngushtë, duke u fërkuar me shkurret e një biznesi privat në anë të rrugës.
“Çdo ditë qindra qytetarë dhe studentë kalojnë në këtë aks, pasi në zonë ndodhet edhe një universitet. Këmbësorët detyrohen të rrezikojnë jetën për shkak të mungesës së hapësirave të sigurta”, shprehen denoncuesit.
Një tjetër shqetësim lidhet me gjendjen e korsisë së përkohshme, e cila sipas tyre është e paniveluar dhe ndodhet rreth 20-25 centimetra mbi trupin ekzistues të rrugës. Kjo ka krijuar një situatë të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve, duke formuar dy “pseudo-korsi” me diferencë të konsiderueshme niveli.
Qytetarët ngrenë shqetësime edhe për kushtet në të cilat punojnë punëtorët e kantierit, të cilat sipas tyre janë larg standardeve të sigurisë. Ndërkohë, në të njëjtin segment rrugor qëndrojnë çdo ditë edhe pasagjerë që presin autobusët e linjës, pa pasur një hapësirë të dedikuar dhe të sigurt.
Sipas denoncimit, në këtë aks kanë ndodhur disa aksidente që kanë përfshirë këmbësorë, çiklistë dhe automjete. Qytetarët theksojnë se prania e përditshme e policisë në zonë për menaxhimin e trafikut tregon se autoritetet janë në dijeni të problematikës.
Një tjetër element që ngjall pakënaqësi është gjendja e asfaltit. Sipas banorëve dhe përdoruesve të rrugës, segmenti ishte asfaltuar vetëm pak muaj më parë, por tashmë është prishur sërish për shkak të punimeve, duke lënë pas gropa edhe më të thella se më parë.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë rrugore, sistemimin e kushteve të qarkullimit dhe mbrojtjen e këmbësorëve deri në përfundimin e punimeve.
