Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe rreth 700 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, dhe zonat përreth. Bilancin e parë zyrtar e bëri të ditur presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.

Dy lëkundjet sizmike, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën brenda pak më shumë se një minute, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave dhe panik mes banorëve. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në rrënoja, ndërsa në disa zona raportohen ende persona të bllokuar që kërkojnë ndihmë.

Në komunën Baruta të Karakasit, shembja e dy ndërtesave la të paktën tre viktima, sipas kryebashkiakut Darëin González, i cili bëri të ditur se banorët e tjerë janë nxjerrë nga rrënojat dhe të plagosurit po marrin trajtim mjekësor.

Pas katastrofës, presidentja në detyrë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare dhe njoftoi pezullimin e shërbimit të trenave dhe metrosë, si edhe ndërprerjen e procesit mësimor për pjesën e mbetur të javës. Gjithashtu, aeroporti ndërkombëtar Maiquetía u mbyll pasi pjesë të tavanit të tij u dëmtuan nga lëkundjet.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti më i fuqishëm u shkaktua nga një rrëshqitje e cekët përgjatë kufirit midis pllakës tektonike të Karaibeve dhe asaj të Amerikës së Jugut.

Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë, ndërsa deri tani janë regjistruar më shumë se 20 pasgoditje, disa prej tyre me intensitet të konsiderueshëm.
Zonat më të prekura përfshijnë bregdetin verior të Venezuelës, përfshirë La Guaira, Aragua, Carabobo dhe Falcón. Dëshmitarët raportojnë ndërtesa të dëmtuara, mungesë energjie elektrike dhe ndërprerje të komunikimeve.

Ndërkohë, liderë nga vende të Amerikës Latine dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë shprehur solidaritet dhe gatishmëri për të ofruar mbështetje ndaj Venezuelës, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë mes frikës se bilanci i viktimave mund të rëndohet edhe më tej.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb