Partia Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat në lidhje me protestën që vijon prej ditësh në kryeqytet dhe me kërkesat e qytetarëve, duke sjellë një përplasje të ashpër politike në Konferencën e Kryetarëve.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi nga Konferenca e Kryetarëve se Parlamenti është shkëputur nga realiteti dhe nuk mund të funksionojë normalisht ndërsa, sipas saj, përballë institucionit ndodhet një protestë e gjatë qytetare me kërkesa konkrete për ndryshim politik dhe largim të qeverisë. Ajo theksoi gjithashtu se zëri i protestës ka arritur deri në institucionet europiane, duke u reflektuar edhe në raportet e fundit të Parlamentit Europian, të cilat sipas saj trajtojnë çështje të zgjedhjeve dhe korrupsionit në Shqipëri.

Në të njëjtën linjë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shmang debatin parlamentar mbi raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Ai deklaroi se qeveria ndryshon qëndrim sipas interesit dhe se nuk pranon diskutimin pasi, sipas tij, dokumenti përmban kritika të forta ndaj saj.

Bardhi u shpreh se raporti ngre shqetësime për korrupsionin, ligje klienteliste dhe lirinë e medias, duke shtuar se Kuvendi ka detyrimin të zhvillojë debat të plotë për këto çështje nëse integrimi europian trajtohet seriozisht. Gjatë diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi iu përgjigj edhe akuzave të mazhorancës, duke thënë se opozita nuk synon të përfaqësojë protestën, por të përcjellë shqetësimet e qytetarëve. Ai akuzoi për sulme ndaj protestuesve dhe theksoi se, sipas tij, edhe përfaqësues të Parlamentit Europian kanë ngritur shqetësime për situatën në vend, ndërsa mazhoranca, siç u shpreh ai, po shmang çdo debat për këto çështje në Kuvend.

DEBATI
Jorida Tabaku:
Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imu…

Gazment Bardhi: Ju kemi tmerr nga debati per Raportin e PE. Ju nxin ne çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias.

Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat. Ne nuk kemi pretenduar dhe as nuk synojmë të bëhemi zëdhënës të protestës. Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre. Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë. Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët.
Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. A e kuptoni se në çfarë absurditeti jeni? Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb