Ambasada gjermane në Tiranë ka shpërndarë qëndrimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me protestën studentore dhe përshkallëzimin e dhunshëm të saj në kryeqytet. Ambasada ka shprehur kësghtu qëndrimin në unison me delegacionin e BE.

Në reagimin e publikuar për News24, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për situatën e krijuar, ndërsa thekson se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga efektivët e Policisë ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë”, thuhet në reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian. BE-ja nënvizon se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore të njeriut. Po ashtu, kërkon që rastet e pretenduara të dhunës të hetohen me përparësi. “Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, theksohet në deklaratë.

Në përfundim, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të angazhohen në dialog konstruktiv. “Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, përfundon reagimi i BE-së.

  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb