Një incident i rëndë ndodhi gjatë një ceremonie pagëzimi në Volos, ku një foshnjë 10-muajshe humbi ndjenjat në mes të shërbesës fetare, duke shkaktuar panik te familjarët dhe të pranishmit.

Sipas mediave greke, fëmija qau gjatë gjithë ceremonisë, por në një moment mbylli sytë dhe pushoi së reaguari. Në atë çast, prifti po e mbante në krahë dhe e kishte vendosur në vaskën e pagëzimit.

Ishte nëna ajo që vuri re menjëherë se foshnja nuk ishte mirë. Ajo nisi të bërtiste duke i kërkuar priftit ta nxirrte menjëherë nga uji, më pas e mori në krahë dhe u përpoq ta rikthente në vetëdije, ndërsa të ftuarit mbetën të tronditur nga ngjarja.

Në vendngjarje mbërriti menjëherë një ambulancë, ndërsa ekipet e urgjencës i dhanë foshnjës ndihmën e parë. Për fat të mirë, fëmija reagoi pozitivisht dhe gjendja e tij u stabilizua, pa qenë e nevojshme shtrimi në spital. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ceremonia e pagëzimit u përfundua shpejt, në prani të personelit shëndetësor, për të shmangur stresin e mëtejshëm për foshnjën. Ngjarja bëhet edhe më prekëse pasi fëmija u pagëzua me emrin e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë kur nëna ishte katër muajshe shtatzënë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb