Valës së mesazheve mbështetëse nga Parlamenti Europian i është bashkuar edhe Bashkëkryetarja e Të Gjelbërve Evropianë, Vula Tsetsi. Gjatë fjalës së saj përpara protestuesve në ditën e 30-të të qëndresës, ajo deklaroi se qëndresa shqiptare tashmë ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe bëri thirrje për presion të shtuar ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë dhe urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje! Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, zgjerimin në BE”, u shpreh Tsetsi.
Ajo theksoi prerazi se rruga europiane e vendit është e kushtëzuar nga respektimi i zërit të qytetarëve dhe jo nga marrëveshjet e fshehta.
“Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë!”
Në mbyllje të fjalës së saj, Tsetsi nisi edhe një apel të fortë politik drejtuar familjes së saj politike në Europë, duke kërkuar që të mos mbyllet më asnjë sy përpara veprimeve të qeverisë shqiptare.
“Gjithashtu duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë sepse Rama është me socialdemokratët. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Ndaj mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje! Jo vetëm për demokracinë, por për ju edhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE.”
