Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm shpalli të pafajshëm Redion Hysën, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela, në Lezhë, në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit 2020, në kohën kur Shqipëria ishte nën kufizimet e pandemisë COVID-19. Më herët, Redion Hysa ishte shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata e Lezhës, por për shkak të kompleksitetit të çështjes, Apeli vendosi të rihapte pjesërisht shqyrtimin gjyqësor. Gjatë këtij procesi u morën dëshmitë e disa zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe u administruan prova dhe të dhëna të tjera që lidhen me ngjarjen.

Fillimisht, si autor i dyshuar i vrasjes u shpall në kërkim Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt, i njohur si “mbreti i kumarit”, i zhdukur pa gjurmë. Ndërsa hetimet për zbardhjen e vrasjes së Prelës vijonin, një person i dërgoi policisë një mesazh ku pretendonte se arma e krimit ishte fshehur në depozitën e ujit të banesës së Redion Hysës.

Pas kontrolleve të kryera, arma u gjet pikërisht në vendin e sinjalizuar. Pas këtij zhvillimi, akuza ndaj Brilant Martinajt u pushua dhe Redion Hysa u mor i pandehur për vrasjen. Megjithatë, gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se Hysa nuk ishte autori i vrasjes së Xhulio Prelës, përfundim që ishte ngritur më herët edhe nga një investigim i emisionit “Në Shënjestër”, i publikuar ndërsa çështja ishte ende në proces gjyqësor.

Gjatë kësaj periudhe, Brilant Martinaj u ekzekutua pranë mbikalimit të Fushë-Krujës, së bashku me dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Ndërkohë, Redion Hysa u lirua nga qelia e burgut të Lezhës, edhe pse çështja vijoi të shqyrtohej në Apel. Pas disa muajsh procesi gjyqësor, ishte vetë Prokuroria që hoqi dorë nga akuzat, ndërsa trupa gjykuese vendosi të linte në fuqi pafajësinë e të pandehurit. Xhulio Prela u qëllua për vdekje në aksin rrugor Lezhë–Milot, në fshatin Gajush, teksa po kthehej nga Shkodra, ku kishte përcjellë një të afërm. Në atë periudhë, për shkak të pandemisë COVID-19, lëvizjet në vend ishin të kufizuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: