Tensione janë regjistruar këtë të martë para Parlamentit, ku protestuesit u përplasën me efektivët e Policisë së Shtetit gjatë tubimit teksa zhvillohej seanca plenare. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të drejtuar prej tij, për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore.

Siç duket nga pamjet që sjell BalkanWeb dhe News24, disa protestues tërhiqen zvarrë nga forcat e policisë, ndërsa të tjerë janë goditur gjatë ndërhyrjes së uniformave blu. Në kulmin e tensioneve, policia shoqëroi disa persona, ndërsa protestuesit reaguan me thirrje kundër efektivëve dhe qeverisë.

Përplasjet nisën pasi protestuesit u pozicionuan pranë hyrjeve të Kuvendit, duke kërkuar të pengonin hyrje-daljet e deputetëve. Pas ndërhyrjes së policisë për t’i larguar, situata u përshkallëzua për disa minuta, duke sjellë momente tensioni dhe përleshje fizike.

Kjo bëri që protestuesit të marshonin nga godina e Parlamentit në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e të ndaluarve.

Ndërkohë, protesta vijon me kërkesën për largimin e kryeministrit Rama, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe pse kanë kaluar 31 ditë nga nisja e revoltës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb