Kombi ishullor i Palaut ka pritur emigrantin e parë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, duke shënuar zbatimin për herë të parë të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve për pranimin e shtetasve të vendeve të treta.

Qeveria e Palaut konfirmoi për AFP se personi mbërriti në fund të muajit maj dhe u prit nga autoritetet në aeroport, të cilat e transportuan në banesën e tij të përkohshme dhe e ndihmuan të sistemohej.

Nën administratën e presidentit Donald Trump, SHBA-të kanë intensifikuar deportimet e emigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve drejt vendeve të treta, përfshirë Ugandën, El Salvadorin, Ruandën dhe tashmë Palau, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në dhjetor 2025, Palau do të pranojë deri në 75 persona të deportuar nga SHBA. Ata do të lejohen të jetojnë dhe të punojnë në territorin e arkipelagut, me kusht që të mos jenë të akuzuar për vepra penale dhe të angazhohen në profesione ose detyra që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Palau, një shtet me rreth 20 mijë banorë i vendosur rreth 800 kilometra në lindje të Filipineve, është një nga vendet me popullsinë më të vogël në botë. Edhe pse fitoi pavarësinë në vitin 1994, ai vazhdon të ketë marrëdhënie të ngushta me SHBA-në, duke i lejuar forcave të armatosura amerikane të përdorin territorin e tij në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb