Armando Broja duket se nuk do të transferohet në kampionatin italian dhe zërat për një transferim të mundshëm te Kaljari, duket se po marrin fund. Është eksperti i merkatos, Alfredo Pedula, ai që ka mohuar raportimet e ditëve të fundit që lidhnin Armando Brojën me një transferim te Kaljari.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetari italian sqaroi se klubi sardez nuk ka zhvilluar asnjë negociatë konkrete për sulmuesin e Kombëtares shqiptare dhe se emri i tij nuk bën pjesë në planet aktuale të drejtuesve të Kaljarit. Sipas Pedulës, objektivi kryesor i klubit për repartin ofensiv është Kieron Bovie, sulmuesi i Veronës. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje nuk pritet të jetë e lehtë, pasi Verona e vlerëson 23-vjeçarin rreth 10 milionë euro. Kështu, të paktën për momentin, Armando Broja nuk është në radarët e Kaljarit, ndërsa e ardhmja e sulmuesit shqiptar mbetet ende e hapur në pritje të zhvillimeve të reja në tregun e transferimeve.

Ditët e fundit, në mediat italiane është raportuar se Kaljari ka interes edhe për Stiven Shpendin si edhe për Kristjan Asllanin, teksa ende nuk ka pasur zhvillime konkrete për këta lojtarë. Tashmë, mbetet vetëm të shihet se si do të zhvillohet kjo situatë mes Kaljarit dhe shqiptarëve të përfshirë në bisedime, ku natyrisht lëvizjet do të ishin me shumë peshë për legjionarët tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb