Analisti Ilir Kulla, i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, komentoi zhvillimet politike në rajon dhe pozicionin e kryeministrit Edi Rama në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Kullës, Rama ka humbur ndikimin politik te shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, çka ka dobësuar ndjeshëm rolin e tij në zhvillimet rajonale.

Ai bëri një paralelizëm me situatën në Serbi, duke u shprehur se ashtu si Aleksandër Vuçiç ka bashkuar faktorët kundër vetes, edhe Edi Rama ka krijuar një situatë ku shumë aktorë politikë janë kundër tij.

Sipas tij, në fillimet e angazhimit të Ramës në rajon, një nga kartat kryesore të tij ishte roli si faktor stabiliteti në Ballkan. Megjithatë, për ta ushtruar këtë rol, kryeministri shqiptar duhej të kishte ndikim te aktorët politikë shqiptarë në vendet fqinje.

Kulla përmendi gjithashtu kundërshtimin e Kosovës ndaj ndryshimit të kufijve, dështimin e nismës “Ballkani i Hapur” dhe largimin e Dritan Abazoviçit nga pushteti në Mal të Zi, duke argumentuar se Rama ka humbur një pjesë të rëndësishme të instrumenteve politike që dikur i jepnin peshë në rajon.

“Këta i bëri të gjithë bashkë Vuçiç. Si në Shqipëri që ka bërë Rama bashkë të gjithë faktorët kundër vetes. Mendoj që Rama e nxori veten nga loja në momentin kur humbi ndikimin te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët e Kosovës. Me ardhjen në Maqedoninë në pushtet të atyre që janë sot në qeveri me Mickoswkin pra të VLEN dhe me pushtet të Albin Kurtit në Kosovë, ata nuk ia njohin këtë lidership dhe Rama nuk ka çfarë të ofrojë në shkëmbim. Pasi në fillimet e para ishte që Rama ishte njeriu që do sillte stabilitetin por që të bënte këto gjëra Rama duhet të kishte ndikim tek këta. Por Kosova ishte kundër ndryshimit të kufijve, Ballkani i Hapur që iku. Kartat që kishte Rama për të lëvizur në tavolinë nuk i ka, jo sepse iku Vuçiç, por sepse shqiptarët e rajonit nuk e pranuan. Ra edhe Dritan Abazoviç në mal të Zi dhe Rama nuk ka çfarë të ofrojë sot. I vetmi që të ofrojë është stabilitetit por këtë e ka problem për shkak të protestave të brendshme. Pra në kuptimin Perëndimor Rama për Ballkanin nuk ka çfarë të ofrojë më. Nuk ka gjë në dorë as për çështjen e Kosovës dhe as të Maqedonisë së Veriut. Rama ka probleme të brendshme. Vetëvendosje dhe VLEN nuk është në ndikimin e Ramës”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: