Aktivisti Arben Kola reagoi pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për provokim të qytetarëve dhe duke pretenduar se efektivët marrin urdhra nga ministri i Brendshëm Ulsi Manja dhe ministri Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Kola u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë, duke theksuar se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore.

Ai u shpreh se, sipas tij, prania e grave, fëmijëve dhe qytetarëve në protestë është elementi që “e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur”. Kola përmendi edhe protestuesin Altin Hila, për të cilin tha se u nxor zvarrë gjatë protestës së sotme.

“Policia që merr urdhër nga Ulsi Manja, Taulant Balla e të tjerë, tregon se tani ndodhet para një dileme: t’i shërbejë mafies apo popullit. Policia është e popullit dhe jo e mafies, prandaj duhet të jeni të vëmendshëm dhe të mos bini pre e provokimeve.

Duhet të ruani qetësinë. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën me një revolucion paqësor. Prandaj kini durim, sepse ajo që e vret këtë sistem dhe politikë të kalbur është prania e fëmijëve, grave dhe qytetarëve, njerëzve si Flamuri dhe atij zotërisë që u nxor zvarrë sot, Altin Hila, i cili vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë.

Një duartrokitje për të gjithë protestuesit që janë arrestuar sot. Janë provokuar nga bandat mafioze brenda Policisë së Shtetit”, deklaroi Kola.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb