Në ditën e 81-të të protestës qytetare kundër qeverisë përpara godinës së Kryeministrisë, një arkitekt ka lëshuar akuza të forta për mënyrën se si pushteti po keqpërdor nocionet e zhvillimit dhe statusin e investimeve strategjike në dëm të pasurisë kombëtare.

Gjatë fjalës së tij, arkitekti ironizoi përdorimin e shpeshtë të fjalës “zhvillim” nga politikanët, duke theksuar se ajo ka humbur kuptimin e saj të mirëfilltë. Ai solli në vëmendje se në vend që fondet të përdoren për zhvillimin e bujqësisë, tokat pjellore po tjetërsohen dhe po jepen për impiante me panele diellore. Sipas tij, ky model po lë tokat bujqësore djerrë dhe po nxjerr nga puna fermerët e bujqit shqiptarë.

Më tej, ai u ndal te termi “investitor strategjik”, duke e cilësuar si një koncept të përdorur në mënyrë abuzive nga autoritetet. Arkitekti nënvizoi se të gjithë ata që kanë përfituar nga këto ligje i kanë pasur investimet strategjike vetëm për interesat e tyre personale, ndërsa për qytetarët shqiptarë ato përkthehen në një “humbje strategjike”, me toka të tjetërsuara që nuk i përkasin më pasurisë publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb