Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë pasdite sulmet ndaj protestuesve që prej më shumë se një muaji mblidhen çdo mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar largimin e tij. Në një postim në X, Rama i etiketoi protestuesit si “korja e zezë e dështakëzemërakëve të Bulevardit”, ndërsa përsëriti qëndrimin se pas protestave fshihen interesa të caktuara dhe “duar të huaja”.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat qytetare kanë hyrë në ditën e 33-të, ndërsa organizatorët deklarojnë se pakënaqësia lidhet me korrupsionin, qeverisjen, premtimet e pambajtura dhe gjendjen ekonomike në vend.
Pavarësisht retorikës së përdorur nga kreu i qeverisë, protestuesit kanë bërë të ditur se do të vijojnë mobilizimin e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Reagimi i Ramës
Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit.

