Për më shumë se katër orë, Tirana është kthyer në arenën e një proteste të fuqishme, me qindra qytetarë dhe pjesëtarë të Diasporës që janë mbledhur përpara Kryeministrisë.

Protestuesit kanë “pushtuar” rrugët përreth godinës së Kryeministrisë por edhe disa segmente të kryeqytetit, ndërsa thirrjet dhe pankartat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij kanë shoqëruar protestën gjatë gjithë mbrëmjes.

Tubimi, i nisur prej orës 19:00, ka sjellë bllokime të qarkullimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Prania e madhe e protestuesve ka krijuar një situatë të pazakontë përreth Kryeministrisë, ku tanimë protestohet prej plot 105 ditësh.

Një pjesë e rëndësishme e protestës është pjesëmarrja e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët janë kthyer në Tiranë për t’iu bashkuar revoltës. Mesazhi i tyre është i qartë, kërkojnë ndryshim dhe një reagim më të fortë politik ndaj situatës në vend.

Kërkesa kryesore e revoltës mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb