Trajneri i Astanës, Grigori Babajan, ka shpjeguar se ekipi i tij do të përballet me peripeci të mirëfillta e vështirësi për sfidën ndaj Dinamos në Ligën e Konferencës. Skuadra kazake ka vështirësi financiare dhe është dashur të rregullojë udhëtimin drejt Shqipërisë me tranzite të gjata që padyshim do të vështirësojnë përgatitjen për ndeshjen.

Përtej kësaj, asaj do i duhet që të kthehet menjëherë në Kazakistan, pasi me datë 12 luan një sfidë ndaj Aktobes.

“Si do ia dalim? Do të udhëtojmë që më datë 7 nëpërmjet Stambollit ku na pret një tranzit shumë i gjatë e pastaj të udhëtojmë drejt Shqipërisë, të luajmë, të fluturojmë mbrapsht ditën e nesërme dhe një ditë më vonë të luajmë kundër Aktobes. Nuk mund të riskedulojmë të gjitha ndeshjet. Nuk e dinim deri në minutën e fundit dhe shpresonim që të merrnim disa lojtarë për rotacion.

Tani kemi lojtarë të rinj, ndaj do të luajnë ata që kemi. Gjithsesi, Liga e Konferencës është një turne prestigjioz dhe do ta trajtojmë me shumë seriozitet. Aktualisht vetëm po mendojmë për ndeshjen e parë. Më pas do të shohim se kush do të jetë më i freskët. Ka disa të rinj të cilët po stërviten me ne. Ta shohim, është e vështirë ta parashikosh tani.

Sa u përket objektivave tanë në Europë, vitin e kaluar ne luajtëm deri në fund. Kishim një ekip me 20 lojtarë. Tani, ne kemi gjysmën, me shumë të rinj. Nuk po vendosim më objektiva të tillë. Thjesht po i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje. Aktualisht, e vetmja gjë për të cilën mendojmë është të luajmë një ndeshje të mirë ndaj Dinamos, pasi përballemi me një ekip të fortë.

Ne po marrim informacione për të aktualisht, pasi kjo ndeshje është prioriteti ynë i parë. Askush nuk ka vendosur objektiva në këtë moment, pasi ne e kuptojmë situatën dhe po mundohemi që të dalim nga situata në të cilën gjendemi”, tha ai, duke iu referuar krizës financiare në klub.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb