Partia Demokratike Evropiane (PDE/EDP) ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se demokracia nuk duhet t’i frikësohet protestave paqësore, por t’i dëgjojë ato.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, PDE/EDP ndalet te dita e 34-t e protestave, duke veçuar mesazhin e një vajze të re drejtuar një efektivi policie: “Jam e zhgënjyer nga ju”, një moment që, sipas tyre, pasqyron ndarjen në rritje mes qytetarëve dhe institucioneve.

“Në ditën e 34-t të protestave në Tiranë, një fjali jehon më fort se çdo thirrje: ‘Jam e zhgënjyer nga ju.’ Një vajzë e re ia thotë këtë një efektivi policie dhe, në atë çast, Shqipëria sheh ndarjen gjithnjë e më të thellë mes qytetarëve dhe atyre që janë në pushtet”, thuhet në reagim.

  • foto galeri

Demokratët Evropianë theksojnë se një demokraci funksionale nuk i sheh protestat paqësore si kërcënim, por si pjesë të dialogut demokratik.

“Demokracia nuk ka frikë nga protesta paqësore. Ajo i dëgjon ato. Kur institucionet i përgjigjen guximit me forcë, ato nuk rivendosin rendin – ato shkatërrojnë besimin”, vijon deklarata.

Në përfundim, PDE/EDP i bën thirrje Evropës të mbështesë qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore dhe të rinjtë që, sipas saj, po mbrojnë vlerat demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb