Njëri nga protestuesit e liruar këtë të shtunë nga Gjykata e Tiranës ishte edhe Niko Qarkaj.
I riu u arrestua pas protestës së zhvilluar të enjten para Parlamentit.
Pas daljes nga Komisariati nr. 3, ku ishte pritur nga dhjetëra qytetarë, Qarkaj hipi mbi kangjellat e hyrjes dhe nxori nga xhepi një vezë. Personat e arrestuar u akuzuan për prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe dhunë ndaj policisë.
“Kjo ishte arma ime”, deklaroi ai para të pranishmëve, përpara se ta hidhte vezën në oborrin e Komisariatit nr. 3.
Sipas pretendimeve të mbështetësve të tij, ai është dhunuar nga efektivët e policisë gjatë qëndrimit në komisariat dhe ka pësuar edhe kriza epilepsie. Një episod i tillë u regjistrua edhe gjatë seancës gjyqësore, ku ai pati një tjetër krizë shëndetësore.
Gjykata vendosi lirimin e tij për mungesë provash.
