Albion Nikolli, një nga protestuesit e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar të enjten para Kuvendit, është liruar këtë të shtunë pas disa ditësh qëndrimi në komisariat.
Në një prononcim për News24, Nikolli pretendoi se ai dhe protestues të tjerë janë dhunuar nga efektivët e policisë gjatë arrestimit dhe më pas në ambientet e policisë.
Sipas tij, ngjarja nisi rreth orës 14:00, kur aikërkonte informacion mbi një protestues të ndaluar.
“Shkuam në polici për të marrë informacion për një protestues të arrestuar. Na thanë se nuk kishin informacion dhe të largoheshim. Në momentin që po largoheshim, u dha urdhri ‘Kapeni këtë!’ dhe disa prej nesh u arrestuam. Arrestimi ishte i dhunshëm. Na goditën, megjithëse nuk bëmë asnjë rezistencë dhe i pyetëm pse po përdorej dhunë ndaj nesh”, deklaroi Nikolli.
Ai shtoi se protestuesi Arbër Lleshi është goditur edhe pasi ishte prangosur, brenda automjetit të policisë, nga një person civil.
Nikolli pretendoi gjithashtu se asnjë prej të arrestuarve nuk mori ndihmë mjekësore dhe nuk iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, pavarësisht dëmtimeve të pretenduara.
“Nuk kemi marrë ndihmë mjekësore dhe nuk na është bërë ekspertizë. Kam shenja në trup nga dhuna, jo vetëm unë”, u shpreh ai.
