Ka nisur këtë të hënë në Filipine gjyqi për shkarkimin e zëvendëspresidentes Sara Duterte, në një proces historik që pritet të zgjasë 92 ditë dhe që konsiderohet si një provë e rëndësishme për institucionet demokratike të vendit.
Mbi 6 mijë efektivë policie u vendosën rreth ndërtesës së Senatit për të garantuar sigurinë, ndërsa jashtë u zhvilluan protesta nga mbështetësit dhe kundërshtarët e Duterte.
Ky është rasti i parë në historinë e Filipineve që një zëvendëspresident përballet me një gjyq shkarkimi në Senat. Procesi zhvillohet në sfondin e përplasjes së ashpër politike mes dy familjeve më të fuqishme të vendit, Duterte dhe Marcos.
Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve, e dominuar nga aleatët e presidentit Ferdinand Marcos Jr., votoi me shumicë dërrmuese për ngritjen e akuzave ndaj 48-vjeçares.
Sara Duterte akuzohet për keqpërdorim të fondeve publike, grumbullim të pasurisë së pajustifikuar dhe kërcënime publike ndaj presidentit Marcos, bashkëshortes së tij dhe një aleati të rëndësishëm politik. Një nga akuzat lidhet me një deklaratë të bërë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në nëntor 2024, ku ajo tha se nëse do të vritej, dikush duhej të vriste edhe presidentin.
Në seancën hapëse, prokuroria u fokusua kryesisht te akuzat për korrupsion. Duke paraqitur argumentet e saj, kongresmenja Gerville Luistro deklaroi se edhe zyrtarët më të lartë duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Nga ana tjetër, Duterte ka mohuar të gjitha akuzat dhe nuk ishte e pranishme në seancën e parë. Avokatët e saj e cilësuan procesin si politikisht të motivuar.
Nëse Senati e shpall fajtore me të paktën 16 vota nga 24 senatorët, Sara Duterte rrezikon të shkarkohet nga detyra dhe t’i ndalohet përgjithmonë mbajtja e posteve publike, çka do t’i jepte fund edhe ambicieve të saj për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Vetëm pak orë para nisjes së gjyqit, autoritetet arrestuan dy aleatë të afërt të Duterte-s me akuza për korrupsion, mes tyre edhe senatorin Rodante Marcoleta, duke shtuar më tej tensionet politike në vend.
