Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e cilëson valën e protestave në Shqipëri si një moment historik për demokracinë dhe integrimin evropian të vendit.
Në një opinion të publikuar nga EUalive, ai argumenton se mobilizimi qytetar ka krijuar një frymë të re solidariteti, dinjiteti dhe ndërgjegjeje publike.
Sipas Bushatit, jehona që protestat kanë marrë në mediat prestigjioze ndërkombëtare përbën “investimin më të mirë” për imazhin e Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Protestat në Shqipëri pasqyrojnë shqetësime të thella që kërkojnë reflektim serioz dhe veprime kuptimplota në lidhje me modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit”, shkruan ai.
Bushati thekson se shumica e protestuesve i përkasin brezit të lindur pas viteve ’90, të cilët nuk identifikohen me trashëgiminë e komunizmit apo tranzicionit të gjatë politik. Sipas tij, ky brez kërkon një Shqipëri me mundësi të barabarta, institucione demokratike dhe standarde evropiane.
Në analizën e tij, ish-kryediplomati vlerëson se protestat kanë prodhuar një “çlirim kolektiv emocional” që nuk drejtohet nga partitë politike, por buron nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë arrogancën e pushtetit, korrupsionin dhe lidhjet mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar.
Ai argumenton gjithashtu se Shqipëria nuk ka gëzuar kurrë më parë një mbështetje kaq të madhe ndërkombëtare për një lëvizje qytetare, duke theksuar se vëmendja e mediave të huaja po përqendrohet te kërkesa e shqiptarëve për demokraci funksionale, meritokraci dhe mbrojtje të interesit publik.
Sipas Bushatit, korrupsioni, institucionet e politizuara dhe kapja e aseteve publike janë pengesat kryesore në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa protestat përfaqësojnë dëshirën e qytetarëve për t’i afruar standardet evropiane me realitetin shqiptar.
Në përfundim, ai shprehet se fryma e protestës tashmë është më e madhe se vetë demonstratat dhe paralajmëron se injorimi i këtij realiteti vetëm do ta bëjë më të kushtueshëm ndryshimin.
“Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha duke qëndruar e bashkuar. Ky moment kërkon më shumë patriotizëm, përgjegjësi, etikë, ide, përqendrim forcash dhe guxim. Shqipëria meriton më mirë”, përfundon Bushati.
