Nga Ditmir Bushati
Në romanin e tij të famshëm “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Milan Kundera vendos përballë dy mënyra të të jetuarit: lehtësinë e një jete pa pasoja përkundër peshës të një jete të lidhur nga angazhimi, dhe përgjegjësitë. Kundera nuk jep përgjigje të thjeshtë nëse pesha apo lehtësia janë mënyra më e mirë për të jetuar jetën. Përkundrazi, ai tregon se të dyja kanë çmimin e tyre.
Paradoksi i tij – që lehtësia, larg çlirimit, mund të bëhet e padurueshme – përshkruan me saktësi kontekstin në të cilën u zhvillua vizita e presidentit ukrainas Zelenskyy në Serbi. Dhe kjo lehtësi, është bërë një barrë më vete, për shkak të hendekut midis asaj që perceptohet se premton dhe asaj që ofron realiteti. Duke thelluar kësisoj krizën e besimit.
Të mësuar me këtë gjendje politike prej shumë kohësh, nuk prisja që vizita e presidentit ukrainas në Beograd, të shënonte një kthesë në politikën e jashtme të Serbisë drejt Perëndimit. Habia e vetme ishte mungesa e ndjeshmërisë dhe shprehjes së mirënjohjes nga presidenti i një vendi në luftë për partnerët në Europën Juglindore, përfshirë Kosovën, të cilët, kanë qëndruar në krah të Ukrainës prej ditës së parë të luftës.
Është e kuptueshme dëshira e Ukrainës për marrëdhënie normale me Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë pas Bjellorusisë, dhe partnerin më të ngushtë të Kinës në Europën Juglindore. Ukraina pretendon se Kina mund të ushtrojë presion ndaj Rusisë për përfundimin e luftës. Ndërkohë që gjatë luftës, Ukraina ka blerë armatime nga Serbia, nëpërmjet ndërmjetësve të palëve të treta.
Vështruar në këtë kontekst, rëndësia e vizitës së presidentit ukrainas në Serbi nuk mund të matet veç me numrin e dokumenteve të nënshkruara. Pesha e saj qëndron te ajo që u tha, por ndoshta edhe më shumë te ajo që mbeti pa u thënë. Vizita e tij në një vend kandidat për anëtarësim në BE, por që vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, përbënte një ngjarje me peshë simbolike.
Mënyra se si u organizua vizita nxori në pah dimensionet e saj të shumta. Në dallim nga krerët e tjerë të shteteve që kanë vizituar Serbinë, Zelenskyy nuk u prit në aeroport nga homologu i tij Vučić, por nga ministrja e energjisë, duke theksuar që në fillim aspektin ekonomik dhe energjetik të vizitës.
Komponenti i sigurisë dhe ai ushtarak, potencialisht më të ndjeshëm, mbetën në plan të dytë. Gjatë konferencës për shtyp Vučić u përpoq ta shmangte sa më shumë temën e bashkëpunimit ushtarak, duke lënë derën hapur për një bashkëpunim të tillë pas përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë.
Diskutimi mbi prodhimin e mundshëm të përbashkët të dronëve tregoi se sa delikate është kjo çështje. Vitet e fundit Serbia ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Izraelin, duke përfshirë hapjen e një fabrike për prodhimin e dronëve. Gjithashtu, Serbia gëzon marrëdhënie të ngrohta me Iranin, i cili është në luftë me Izraelin. Irani furnizon Rusinë me dronë luftarakë. Ndërkohë që Izraeli refuzon t’i ofrojë Ukrainës ndihmë ushtarake të këtij niveli, sepse nuk dëshiron të dëmtojë marrëdhëniet me Rusinë, megjithëse e di që Rusia i ofron inteligjencë ushtarake kritike Iranit.
Mohimi kategorik që i bëri Vučić hapjes së një fabrike të përbashkët me ukrainasit për prodhimin e dronëve, vjen për shkak të situatës së mësipërme, e cila paraqet disa të panjohura. Në konferencën për shtyp Vučić fashiti çdo hije dyshimi për një linjëzim ushtarak të Beogradit me Kievin.
Një element tjetër i vizitës ishte çështja e integrimit europian. Për shkak të luftës, Ukraina ka përparuar në procesin e anëtarësimit në BE, ndryshe nga Serbia, e cila ka mbetur vendnumëro. Përtej ujdisë për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë, që pritet të realizohet brenda fundit të vitit dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë, infrastrukturës, bujqësisë e procesit të rindërtimit të Ukrainës, për Presidentin Vučić dimensioni europian i kësaj vizite ishte i rëndësishëm.
Të kuptohemi, qëllimi i tij nuk është anëtarësimi i Serbisë në BE, çka nënkupton reforma të vërteteta në fushën e sundimit të së drejtës, normalizim të marrëdhënieve dhe njohje të ndërsjellë me Kosovën, dinamikë të re me fqinjët në rajon dhe linjëzim gjeopolitik, por paprekshmëria e pushtetit që është tronditur ndjeshëm nga vala e protestave studentore anembanë vendit.
Pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Serbi, ku Vučić synon të rikthehet në postin e kryeministrit, e ka të rëndësishme t’u tregojë partnerëve europianë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kievin, dhe se ai mbetet faktor bashkëpunimi me Perëndimin, pavarësisht luhatjeve dhe flirteve të tij me fuqitë e tjera.
Megjithëse vizita e presidentit ukrainas ishte menduar kryesisht për audiencën ndërkombëtare, ajo nxorri në pah vijimin e lojës kameleonike shumë-vjeçare të Vučić, të mbështjellë nën petkun e politikës së jashtme shumë-vektorëshe. Ai bëri me dije se Beogradi nuk do ta ndryshojë qëndrimin lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Reagimi i Rusisë ishte i përmbajtur, gjë që konfirmon se Moska është e vetëdijshme për stilin e politikës së Vučić, duke i kushtuar më shumë rëndësi lëvizjeve konkrete të Serbisë sesa frazave diplomatike. Nëntorin e kaluar, zëdhënësja e ministrisë të punëve të jashtme të Rusisë, shtroi pyetjen nëse ekziston një president Vučić apo intervistat e tij i japin njerëz të ndryshëm, për shkak të deklarimeve të ndryshme në kryeqytete të ndryshme, në varësi të audiencës.
Vučić i tregoi Perëndimit gatishmërinë e tij për bashkëpunim me Kievin, pa ndryshuar qëndrimet e marrëdhëniet me Moskën. Kjo mund të përshkruhet më tepër si një ndryshim toni sesa si një ndryshim strategjie. Serbia qëndron në të njëjtën pozitë që prej fillimit të luftës: mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk i bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Me pak fjalë, Vuçiç dha një sinjal për Brukselin, por në të njëjtën kohë nuk pranon kërkesat kryesore të BE-së ndaj Serbisë.
Përtej simbolikës të debutimit diplomatik në një vend aleat të Rusisë, është e vështirë të thuhet se çfarë arriti Zelenskyy me këtë vizitë. Natyrisht, pika më e ulët e kësaj vizite, do të mbetet qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe linjëzimi me agresorin e jo viktimën.
Nëse nuk lëvizet drejt përmbajtjes dhe gjithçka mbetet në kuadër të formës, kjo vizitë do të hipotekohet si një akt balancues i Vučić në politikën e jashtme, në një moment të vështirë politik për të. Aktualisht mund të thuhet se ky nuk është një hap drejt Perëndimit nga ana e Serbisë, por më tepër një përpjekje për të ruajtur sa më shumë hapësirë manovrimi në rrethanat e ndryshuara europiane.
Edhe sa kohë do ta lejojë mjedisi ndërkombëtar Serbinë që ta shtyjë marrjen e këtij vendimi? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në romanin e Kunderës. Ai na qartëson se jeta merr kuptim vetëm kur pranojmë peshën, kur zgjedhjet që bëjmë mbartin pasoja. Kjo është po aq e vërtetë në politikë.
