Revista franceze “Paris Match” i ka kushtuar një artikull protestave që po zhvillohen prej 38 ditësh radhazi në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.

Në shkrim i kushtohet një vëmendje e veçantë faktit se kryeministri Rama ka akuzuar forca dhe agjentura të huaja për organizimin e revoltës popullore. Revista franceze thekson se ajo që nisi si një kundërshti ndaj projektit në Zvërnec është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe establishmentit politik.

“I akuzuar nga protestuesit se favorizon investitorët në kurriz të interesave të vendit, zoti Rama pohon rregullisht se nuk do ta braktisë projektin dhe akuzon forcat e huaja për nxitjen e këtyre protestave.

Ai deklaroi të premten se nuk ka arsye për t’u shqetësuar dhe se projekti ende nuk ishte miratuar. Ai theksoi se ‘ekspertët më të mirë’ në botë ishin të përfshirë dhe se qëllimi ishte të ‘krijohej diçka unike’”, shkruan “Paris Match”.

Artikulli sjell në vëmendje edhe protestën e zhvilluar në lagunën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, ku një projekt ndërtimi ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarë dhe aktivistë mjedisorë.

“E gjithë kjo zonë detare është një zonë e mbrojtur. Shkatërrimi i saj do të ishte fatal për biodiversitetin”, citohet të jetë shprehur për AFP Emiljona Puja, një punonjëse financiare.

Në një plazh me rërë përballë ujërave të kaltër, protestuesit mbanin flamingo rozë të fryra ose të prera në letër, të cilat janë kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje, ndërsa brohorisnin: “Anulojeni projektin!”.

Revista franceze njofton gjithashtu se të dielën në Paris u zhvillua një protestë në mbështetje të zhvillimeve në Tiranë.

“Këtë të diel, nën një diell të bukur pranveror, disa qindra francezë me origjinë shqiptare u mblodhën në Place Joachim-du-Bellay, në arondismentin e parë të Parisit. Ndër sloganet që jehonin nga kjo turmë, e vendosur për të mbrojtur të drejtat e popullit kundër zhvilluesve të pasur, shumë prej tyre drejtoheshin ndaj udhëheqësve shqiptarë, të akuzuar se e shitën Shqipërinë dhe nuk respektuan vullnetin e popullit”, shkruan media franceze.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb