Aktorja e njohur spanjolle Penélope Cruz ka bërë një rrëfim të sinqertë për martesën e saj me Javier Bardem, duke theksuar se edhe pas 16 vitesh së bashku, marrëdhënia e tyre vazhdon të ndërtohet dhe të evoluojë çdo ditë.

Gjatë promovimit të filmit “The Invite”, Cruz u shpreh se askush nuk e njeh plotësisht as veten, e jo më partnerin, ndaj një marrëdhënie e qëndrueshme kërkon përkushtim, komunikim dhe rritje të vazhdueshme së bashku.

Historia e dashurisë së çiftit të famshëm spanjoll nisi në vitin 1992, gjatë xhirimeve të filmit “Jamón Jamón”. Edhe pse mes tyre pati menjëherë një tërheqje, lidhja romantike nuk u krijua në atë periudhë. Vetëm në vitin 2008, gjatë xhirimeve të “Vicky Cristina Barcelona”, ata u afruan sërish dhe, pas përfundimit të filmit, vendosën t’i jepnin një shans dashurisë.

Edhe Javier Bardem ka treguar më herët se një nga arsyet pse marrëdhënia e tyre ka funksionuar është fakti që ata u njohën shumë përpara se fama t’i vendoste në qendër të vëmendjes, duke krijuar një lidhje të bazuar te besimi, respekti dhe sinqeriteti. Çifti kurorëzoi dashurinë me martesë në vitin 2010, në një ceremoni private të zhvilluar në Bahamas.

Në një intervistë të fundit, Cruz kujtoi gjithashtu një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Gjatë xhirimeve të filmit “The Black Ball”, mjekët dyshuan se ajo mund të kishte një aneurizëm në tru, një përvojë që aktorja e ka përshkruar si jashtëzakonisht të frikshme dhe që i ndryshoi këndvështrimin për jetën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb