Gazetari i News24, Osman Stafa, ka lëshuar një denoncim mjaft të fortë dhe rrëqethës nga tribuna e protestës përpara Kryeministrisë, duke nxjerrë në dritë kontrastin e dhimbshëm mes luksit të qeverisë dhe rrënimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Stafa ka zbardhur një mesazh të ndjerë që i ka mbërritur sot nga një nënë shqiptare, e cila vuan nga kanceri gjinekologjik, e cila tregon se si shteti gjeti miliona euro për të sjellë reperin Kanye West, por nuk investoi dot për aparaturën që do t’i shpëtonte jetën asaj dhe qindra grave të tjera.

“Qeveria i dha 4 mln euro për koncertin e Kanye West, ndërsa spitalet janë pa ilaçe,” deklaroi gazetari përpara turmës së mbledhur, duke lexuar më pas fjalë për fjalë letrën e hapur të gruas që po lufton me vdekjen në spitalet e huaja:

“Jam një grua që vuaj nga kanceri gjinekologjik, mbarova ciklin e rrezeve dhe kimio në onkologjik. Kur duhet të bëja brakiterapinë më thanë se nuk punon. Nuk kisha para ta bëja jashtë shtetit. Çdo ditë zgjohesha me shpresën se do bëja kurimin. Sëmundja më u kthye sërish, sot jam e vdekur për së gjalli. Sot jam në Itali dhe e kam jetën prej shtetit italian. Sot mësova se shteti gjeti 4 mln euro për një koncert. Për mua nuk e gjeti dot brakiterapinë. Ndoshta jam një statistikë për disa, por për fëmijët e mi jam gjithë bota. Jam duke luftuar për jetën time, do doja që shteti të investonte tek shpresa ime, jo vetëm në një natë spektakli. Skenën e ngritën për një natë, brakiterapinë jo.”

I prekur nga ky dëshmi, gazetari Osman Stafa ka ngritur zërin kundër prioriteteve të ekzekutivit, duke theksuar se këto para të shpërdoruara për shfaqje propagandistike mund të kishin shpëtuar jetë njerëzish që nuk kanë mundësi ekonomike të kurohen jashtë kufijve.

“Kjo është letra e kësaj nëne që më ka dërguar sot. Po lufton për jetën. 4 mln euro për spektakël, kur duhet të ishin për pajisje që shpëtojnë jetë! Brakiterapia shpëton jetën e nënave tona, lufton kancerin gjinekologjik! Nuk kanë para nënat tona siç kanë para këta për ta trajtuar sëmundjen jashtë vendit! Nuk kanë para sepse punojnë për të mbajtur fëmijët e tyre,” u shpreh Stafa.

Në mbyllje të fjalës së tij, gazetari listoi se çfarë mund të bëhej me fondet që qeveria shpenzon për koncerte, duke vënë gishtin mbi plagën e hapur të mungesave në QSUT. “Shkojnë shqiptarët në Itali e Turqi për t’u kuruar. Me këto para do ishte siguruar brakiterapia, PET-scan, do ishin siguruar medikamentet që mungojnë sot për personat që vuajnë nga kanceri,” përfundoi gazetari denoncimin e tij të fortë në ditën e 38-të të protestës masive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb