Belind Këlliçi, ka ngritur në Parlamentin Europian çështjen e protestave të zhvilluara në Tiranë, duke deklaruar se ato janë një reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij në Komitetin e përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Këlliçi tha se prej 38 ditësh qytetarë shqiptarë po protestojnë në sheshet e Tiranës, në atë që e cilësoi si “Revolucioni i Flamingove”.
“Për herë të parë që prej rrëzimit të diktaturës, sheshi shqiptar nuk i përket më asnjë partie politike, por çdo qytetari që kërkon ndryshim”, deklaroi Këlliçi para eurodeputetëve.
Ai kundërshtoi akuzat se protestat janë nxitur nga faktorë të huaj, duke thënë se ato nuk janë organizuar nga Rusia apo Irani, por janë një reagim i brendshëm ndaj problemeve të vendit.
“Kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani apo nga çdo ‘armik i jashtëm’. Është një reagim demokratik dhe paqësor ndaj korrupsionit të qeverisë”, u shpreh deputeti demokrat.
Në fjalën e tij, Këlliçi foli edhe për librin “The Albanian Files”, të cilin e cilësoi si një dëshmi të modelit të qeverisjes së Edi Ramës.
Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e ligjeve speciale, ndryshimeve territoriale dhe vendimeve administrative për favorizimin e projekteve të caktuara.
Fjala e plote;
Të nderuar Eurodeputetë,
Të nderuar anëtarë të këtij Komiteti,
Që nga takimi ynë i fundit në Tiranë, kanë ndodhur shumë ngjarje që duhen mbajtur shënim në këtë komitet të përbashkët të stabilizim asocimit.
Para se të flas vetëm për rendin e ditës, duhet të flas për diçka që i tejkalon të gjitha këto: sheshin.
Prej më shumë se një muaji, 38 ditë, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë dalin çdo ditë në rrugët e Tiranës, në atë protestë çka tashmë quhet “Revolucioni i Flamingove”. Dhe unë ju them sot, pa asnjë ekzagjerim: kjo është ngjarja më e bukur dhe më e fuqishmja në historinë postkomuniste të vendit tim.
Sepse për herë të parë që prej rrëzimit të diktaturës, sheshi shqiptar nuk i përket më asnjë partie politike, por çdo qytetari që kërkon ndryshim. Çdo kauzë që opozita ka ngritur vite me radhë, nga shteti i kapur, tek manipulimi zgjedhor, kriminalizimi i ekonomisë, shëndetësia, arsimi, varfëria, shpopullimi, e deri tek mbytja e zërit qytetar, sot nuk janë më vetëm “çështje të opozitës”.
Janë çështje të sheshit, të shqiptarëve të mirë e të ndershëm, të rinisë që ka zgjuar shpresën duke i dalë zot vetes dhe vendit. Dhe kur një popull përqafon të njëjtën të vërtetë, asnjë propagandë qeveritare dhe asnjë teori komploti, nuk mund ta zëvendësojë apo tjetërsojë më atë të vërtetë.
Dijeni se kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani apo nga çdo “armik i jashtëm” siç ka tentuar ta paraqesë qeveria shqiptare. Është reagim demokratik, paqësor që u rikthehet vlerave themelore perëndimore, pikërisht ajo lloj energjie qytetare që Bashkimi Europian duhet ta mbrojë, me vendosmëri absolute. Kur qeveria në Tiranë përpiqet ta kriminalizojë protestën, është detyra jonë si deputetë përfaqësues, por edhe e këtij forumi të përbashkët që të mos heshtë.
Tani do t’ju njoh me zhvillimin më të ri, librin “The Albanian Files”, dëshmia më flagrante e modelit të qeverisjes së Edi Ramës; përmes ligjeve speciale, tjetërsimit të tokave publike, falsifikimit të regjistrave kadastrale, vendimeve të manipuluara gjyqësore, pastrimit të parave, kriminalizimit të ekonomisë, duke i shitur këto si model zhvillimi.
Libri dokumenton 523 projekte arkitekturore të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri, të hartuara nga disa arkitektë ndërkombëtarë të përzgjedhur personalisht nga kryeministri, siç pohojnë vetë ata në këtë libër. Në çdo projekt shfaqet i njëjti emër: Edi Rama.
Ai paraqitet si promotori, ndërmjetësi dhe garantuesi politik i tyre. Kjo e faktuar edhe nga përgjimet Sky, EncroChat, të sjella në Shqipëri nga partnerët europianë. Në këto përgjime grupet kriminale diskutojnë se janë takuar me Kryeministrin, janë dakordësuar për lejet e ndërtimit, por presin emrin e arkitektit të huaj që do përcaktojë ai. Këto janë pjesë e dosjeve hetimore të SPAK, të bëra publike nga vetë institucioni, ku mes tyre “shkëlqen” dosja Aruba.
Edi Rama ka vënë në dispozicion pronën publike, ka ndryshuar planet territoriale, ka miratuar leje ndërtimi dhe, kur ka qenë e nevojshme, ka ndryshuar edhe vetë ligjet.
Libri dokumenton projekte në zona që, në momentin kur janë projektuar, ishin të mbrojtura me ligj. Për shumë prej tyre rezulton se projektimi ka nisur 2–3 vite përpara se mazhoranca socialiste të ndryshonte me votat e saj ligjin për zonat e mbrojtura, në vitin 2024. Me fjalë të tjera, nuk ishin investitorët që iu përshtatën ligjit; ishte ligji që iu përshtat investitorëve.
Projektet e dokumentuara në libër shtrihen në disa nga pasuritë më të çmuara dhe të lakmuara të Shqipërisë: bregdetin e Jugut, Lagunën e Nartës, Karavastasë, Ranën e Hedhun, Talen dhe zona të tjera me rëndësi të jashtëzakonshme mjedisore dhe ekonomike, aty ku vlera e tokës është më e lartë.
Përfitoj nga rasti të përshëndes Parlamentin Europian që i ka trajtuar këto shqetësime të ngritura nga Partia Demokratike, përfshirë për ligjet klienteliste si ligji për investimet strategjike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për portet, për Portin e Durrësit, për Teatrin Kombëtar, për Duranën, për Korporatën e Investimeve Shqiptare dhe akte të tjera të ngjashme, që janë miratuar me forcën e kartonave nga mazhoranca socialiste.
Por sot, nuk jemi vetëm ne. Nga protesta e qytetarëve në shesh, kanë dalë po të njëjtat kërkesa: ato nisin me dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe të gjithë qeverisë. Vendosjen e një qeverie kujdestare me mandat të qartë për të përgatitur vendin për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Shfuqizimin e ligjeve të investimeve strategjike, ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, paketa e maleve, dhe ndryshimeve ligjore që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Partia demokratike i ka propozuar në kuvend menjëherë këto ndryshime, por ato janë refuzuar nga mazhoranca socialiste që ka forcën dhe arrogancën e kartonave.
Unë ju bëj thirrje: Së pari, insistoni që çdo hap drejt anëtarësimit të lidhet ngushtë me zbatimin e plotë dhe jo selektiv te ligjeve dhe standardeve europiane.
Së dyti, dëgjoni zërin e qytetarëve në sheshe. Ata nuk kërkojnë përjashtimin e Shqipërisë nga Europa, përkundrazi, janë forca më europiane që ka sot vendi ynë, sepse kërkojnë një Shqipëri që ndërtohet mbi vlerat europiane dhe jo mbi çmimin që paguan klienti më i pasur.
Së treti, partia demokratike në Shqipëri mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës europiane. Përkushtimi ynë është për integrim të vërtetë, të bazuar mbi punë të mira për vendin dhe vlerat që na bashkojnë, pra ajo që ju e quani Merit Based Process.
Shqipëria po ju shikon, dhe Europa e vërtetë sot gjendet në sheshet e Tiranës.
