Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar me 4.56 milionë dollarë koncertin e reperit amerikan Kanye Ëest ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Pas Reuters, edhe NBC News i ka kushtuar një artikull çështjes, duke raportuar mbi debatet që ka shkaktuar përdorimi i fondeve publike për organizimin e eventit.

Sipas NBC News, kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin për të akorduar 4 milionë euro, duke argumentuar se fondet u përdorën për të shmangur anulimin e koncertit dhe dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

“Ne akorduam 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta”, citohet Rama nga NBC Neës.

Sipas kryeministrit, koncerti i planifikuar më 11 korrik pranë Tiranës pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, falë rritjes së rezervimeve në sektorin e turizmit.

NBC News kujton gjithashtu se Kanye West, i njohur edhe si Ye, është përballur me polemika ndërkombëtare pas deklaratave të mëparshme që u konsideruan si lavdërime për Adolf Hitler dhe përdorimit të simboleve naziste. Sipas artikullit, artisti ka kërkuar më vonë falje për disa prej këtyre deklaratave.

Artikulli thekson se vendimi i qeverisë shqiptare ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e komentuesve kanë kundërshtuar përdorimin e parave publike për organizimin e koncertit.

NBC Neës raporton gjithashtu se Shqipëria po përballet prej më shumë se një muaji me protesta të përditshme në Tiranë. Sipas medias amerikane, demonstratat nisën pas kundërshtimeve ndaj projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe më pas u zgjeruan me akuza për korrupsion ndaj qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama, akuza të cilat ai i ka mohuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: