Koncerti i reperit amerikan Kanye West në Tiranë ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, teksa vendi prej 39 ditësh është përfshirë nga protesta masive. Në një analizë, media gjermane Der Spiegel e lidh organizimin e koncertit me situatën politike në Shqipëri, duke theksuar se si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe Kanye West janë figura që prej vitesh kanë qenë në qendër të polemikave publike.

“Rama dhe Kanye West kanë ditur prej vitesh të tërheqin vëmendjen. Sot, të dy ndodhen në mes të kritikave”, shkruan media gjermane.

Sipas artikullit, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë prej javësh në Shqipëri duke akuzuar Ramën për korrupsion, autoritarizëm dhe afërsi me Donald Trump, Kanye West vazhdon të mbetet një figurë kontroverse në arenën ndërkombëtare për shkak të deklaratave të tij antisemite, të cilat kanë bërë që ai të shpallet i padëshiruar në disa vende.

Në qendër të debatit është koncerti që pritet të mbahet të shtunën në periferi të Tiranës. Sipas Der Spiegel, qeveria shqiptare ka vendosur të financojë aktivitetin me më shumë se 4 milionë euro, përfshirë edhe ndërtimin e një arene të përkohshme.

Media citon deklaratat e kryeministrit Rama, i cili ka sqaruar se fondet u miratuan “në minutën e fundit” për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit të Shqipërisë përballë rreth 25 mijë vizitorëve nga afro 80 vende, të cilët kishin blerë tashmë biletat për koncertin.

Sipas Ramës, eventi pritet të gjenerojë “të paktën” 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, falë rritjes së rezervimeve në hotele dhe aktivitetit turistik.

Megjithatë, Der Spiegel thekson se vendimi për financimin e koncertit ka shkaktuar reagime të forta në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej më shumë se një muaji. Artikulli rikujton se kryeministri Rama ka promovuar prej vitesh investimet e huaja në Shqipëri, por protestuesit, kryesisht të rinj, e akuzojnë atë se po favorizon interesa private në dëm të pasurive publike.

Sipas medias gjermane, një nga çështjet që ka nxitur zemërimin qytetar është projekti për ndërtimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin shqiptar. Në analizë theksohet se debati për koncertin e Kanye West është shndërruar në një simbol të përplasjes më të gjerë politike mbi mënyrën se si qeveria shqiptare përdor fondet publike dhe menaxhon projektet e mëdha të investimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: