Prokuroria e Beratit ka kërkuar masa sigurie për 11 persona të dyshuar për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit financiar, konkretisht për kryerjen e këmbimit valutor pa licencë nga autoritetet kompetente. Sipas hetimeve të zhvilluara gjatë një procedimi penal, administratorë dhe punonjës të gjashtë subjekteve tregtare dyshohet se kanë ushtruar veprimtari të këmbimit valutor pa autorizimin e Bankës së Shqipërisë.
Hetimi proaktiv gjashtëmujor u shtri në pesë bashki të qarkut Berat dhe çoi në dokumentimin e aktivitetit të dyshuar të paligjshëm të shtetasve me inicialet S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P.
Sipas Prokurorisë, këta persona kishin të regjistruara subjekte me objekt aktiviteti si agjentë për transferta parash në emër dhe për llogari të institucioneve financiare jo banka. Megjithatë, nga verifikimet rezultoi se këto pika nuk ishin të regjistruara në listën e zyrave të këmbimit valutor të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë hetimit, me autorizim të organit të akuzës, u kryen veprime të simuluara dhe regjistrime të fshehta fotografike e filmike. Në total u realizuan 28 transaksione këmbimi valutor në subjektet e dyshuara, duke dokumentuar aktivitetin pa licencë.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkoi masa sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ dhe ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’, për 11 persona, nën hetim për veprën penale ‘Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare’. Nga hetimet e kryera në kaudër të procedimit penal nr.47, rezultoi se në gjashtë subjektet tregtare të hetuara, nga administratorët dhe punonjësit e tyre, është ushtruar aktivitet këmbimi valutor pa lejen e organeve kompetente.
Hetimet proaktive gjashtë mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Berat u shtrinë në pesë bashki në të gjithë qarkun dhe arritën të provojnë aktivitetin e paligjshëm të shtetasve S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V. Z.M., E.T. dhe K.P.
Këta shtetas kishin biznese të regjistruara me fushë veprimtarie “Agjent për kryerjen e veprimtarisë financiare për transfertat e parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar, jo bankë.
Më konkretisht, shërbimet Unionnet dhe Western Union, me vendodhje në Berat e Kuçovë rezultuan se nuk ishin në listën e zyrave të këmbimit valutor të licencuara duke funksionuar pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërië.
Në bazë të autorizimit të dhënë nga ana e organit të akuzës për lejimin e kryerjes së veprimeve stimuluese dhe kryerjen e regjistrimit të fshehtë fotografik, filmik ose me video, u kryen 28 veprime këmbimi të vlerave monetare në subjektet e dyshuara, duke vërtetuar se ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë.
Për sa më sipër Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkoi masat e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 237 të Kodit tё Procedurёs Penale.
Nga kontrollet e ushtruara në funksion të këtij procedimi, u gjetën dhe sekuestruan:
88 milionë lekë; 118 mijë euro; 7390 dollarë; dhe 665 paund.
