Një operacion i madh policor është në zhvillim në Berlin, pasi një burrë ka marrë peng një grua brenda një supermarketi në zonën Marienfelde, në jug të kryeqytetit gjerman. Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale të së premtes. Autori ka bllokuar gruan brenda dyqanit dhe po e kërcënon, ndërsa policia po zhvillon negociata për ta zgjidhur situatën pa përdorur forcën.

Në vendngjarje janë dislokuar forca të shumta policore, përfshirë Njësinë e Operacioneve Speciale (SEK), si dhe ambulanca dhe ekipe zjarrfikëse. Zona përreth supermarketit është izoluar plotësisht për arsye sigurie.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, efektivët përdorën një shkallë për të monitoruar më mirë brendësinë e ndërtesës, ndërsa negociatorët e specializuar vazhduan kontaktet me autorin e pengmarrjes. Në momentin e incidentit, brenda supermarketit ndodheshin edhe punonjës, të cilët u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe po qëndrojnë pranë vendit të ngjarjes nën mbrojtjen e policisë. Ata pritet të japin dëshmi për ngjarjen.

Supermarketi ndodhet në një zonë të qetë banimi në Marienfelde, pranë shkollave dhe kopshteve. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e autorit apo motivet e pengmarrjes, ndërsa operacioni policor vijon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb