Kryeministri shqiptar është shqetësuar shumë për komentet negative në internet, për yjet e “humbura” të hoteleve dhe restoranteve, për imazhin e “goditur” të bizneseve. Flet sikur Shqipëria po përballet me kërcënimin më të madh ndaj turizmit.

Katër vjet më parë, një resort pushimi në bregdetin e Golemit u hodh në erë me 70 kg tritol në kulmin e sezonit turistik, kur aty kishte turistë shqiptarë e të huaj. Pamjet bënë xhiron e mediave, duke goditur rëndë imazhin dhe sigurinë e vendit. Ai akt dhe ajo pamje ishin në fakt reklama më e zezë që mund t’i bëhej Shqipërisë. Por ato ditë nuk pamë këtë zemërim. Nuk dëgjuam nga kryeministri këtë pasion për mbrojtjen e sipërmarrjes, asnjë fjalë për dëmin që iu bë biznesit, turizmit dhe reputacionit të Shqipërisë.

Sot, disa komente në Google i duken Ramës katastrofë kombëtare, ndërsa eksplozivi në një resort pushimi nuk i dukej arsye për t’u shqetësuar.

Yjet rikthehen me një klikim. Por besueshmëria e një shteti, jo! Imazhin e Shqipërisë nuk e shkatërrojnë komentet. E shkatërron dhuna shtetërore dhe heshtja përballë saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb