Analisti Ben Andoni ka komentuar protestën që po zhvillohet prej javësh, duke thënë se në shesh ekziston një frymë e fortë pakënaqësie dhe se qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Andoni tha për emisionin ‘News24 Fundjavë’ të gazetares Megi Latifi se kjo lëvizje ende nuk është shndërruar në një organizim të mirëfilltë politik, por përballë saj qëndron një qeveri që, sipas tij, nuk po jep reagim.
Ai vlerësoi edhe rolin e të rinjve në këtë protestë, duke u ndalur te përdorimi i humorit dhe mesazheve satirike në rrjetet sociale. Sipas analistit, protesta mund të mos zgjasë pafundësisht, por mund të shërbejë si pikënisje për zhvillime të tjera shoqërore. Ai theksoi se kjo protestë duhet parë edhe përmes këndvështrimit social.
Andoni shtoi se shoqëria shqiptare ka nevojë për protesta.
“Ekziston fryma në protestë, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen. Kjo është protestë, që ende nuk është bërë lëvizje, por përballë kanë një qeveri që nuk reagon. Tani ka filluar që të delegjitimojë protestën. Memet që po përdorin të rinjtë, janë të jashtëzakonshme, shumë të forta. Kjo protestë po vijon, por do të vijë momenti kur do të shuhet, por do t’i hapë rrugë lëvizjeve të reja. Protesta është më shumë për antropologët, se sa për politikanët. Kurse antropologët shikojnë zhvillimin e shoqërisë në këto kushte. Ka një mllef të madh nga protestuesit për politikën shqiptare. Neve si shqiptarë na duhen protestat. Duhet ta mbajmë të pastër. Kur kam bërë krahasime, kam thënë; nga protestat përftojnë një grup i vogël njerëzisht. Mezi pamë një protestë që na ngriti në emocione. Berisha kishte arritur limitin, por në fakt, limiti u kalua më shumë me mazhorcën socialiste.”, tha ai.
