Saksenringu i dhuroi edhe një tjetër fitore Mark Markezit, i cili dominoi Çmimin e Madh të Gjermanisë nga xhiroja e parë deri në të fundit.

Me këtë sukses, piloti i Dukatit zyrtar barazon rekordin historik të Xhakomo Agostinit me 13 fitore në të njëjtin cirkuit, prej të cilave 10 i ka në klasin mbretëror, në MotoGP, një arritje që askush tjetër nuk e ka realizuar. Mungesa e Marko Bezekit për shkak të një dëmtimi në klavikulë, si dhe vendi i pestë i Horge Martinit, e kanë ngushtuar ndjeshëm renditjen e kampionatit. Martin vazhdon të kryesojë me 208 pikë, por tani ka vetëm 14 pikë epërsi ndaj Ogurës dhe 18 ndaj Marks Markezit.

Spanjolli konfirmoi edhe një herë statusin e tij si “Mbreti i Saksenringut”, duke udhëhequr garën nga starti deri në flamurin me kuadrate. Ai zhvilloi një nisje të pastër, mbrojti vendin e parë dhe la pas vëllain e tij Aleks Markez, Raul Fernandezin, Ai Ogurën dhe Fabio Di Xhanantonion. Megjithatë, gara ndryshoi shpejt ritëm. Di Xhanantonio rrëzohet në një nga segmentet më të shpejta të pistës, ndërsa pak më vonë të njëjtin fat e pëson edhe Aleks Markez, i cili do të jetë shoku i skuadrës së italianit te skuadra KTM në vitin 2027. Pas këtyre incidenteve, Mark Markez krijoi një avantazh prej rreth dy sekondash dhe u shkëput plotësisht nga rivalët, duke mos u rrezikuar më deri në fund.

Në xhirot e fundit pati vetëm disa ndryshime në renditje. Ai Ogura arriti të kalojë Raul Fernandezin dhe të sigurojë vendin e dytë, ndërsa Horge Martin rezistoi ndaj sulmeve të Françesko Banjajas për të mbajtur pozicionin e pestë. Në përfundim, Mark Markez festoi një fitore bindëse, përpara dy pilotëve të Aprilia Trackhouse, Ai Ogurës dhe Raul Fernandezit, të cilët plotësuan podiumin. Pedro Akosta u rendit i katërti, Horge Martin i pesti, ndërsa pas tij përfunduan Françesco Banjaja dhe Fabio Kartararo.

Në dhjetëshen më të mirë u klasifikuan gjithashtu Luka Marini, Enea Bastianini dhe Bred Binder. Pas garës në Gjermani, renditja e kampionatit botëror MotoGP është bërë edhe më e ngushtë. Horge Martin kryeson me 208 pikë, i ndjekur nga Ai Ogura me 194 dhe Mark Markez me 190. Marko Bezeki dhe Fabio Di Xhanantonio ndajnë vendin e katërt me nga 186 pikë, vetëm 22 pikë larg kreut. Me ekuilibrin që është krijuar në pjesën e dytë të sezonit, lufta për titull mbetet plotësisht e hapur dhe çdo garë mund të rezultojë vendimtare, ndërsa Mark Markez rikthehet fuqishëm në lojë, pas një fundjave që e pa protagonist absolut, me “pole position”, triumf në Sprint dhe në Çmimin e Madh. Ndalesa e radhës e kampionatit do të jetë fundjava mes datave 7-9 gusht në Britani.kjh

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb