Nga protesta e 44-të para Kryeministrisë, Ilir Xhemalaj u bëri thirrje intelektualëve dhe artistëve që t’i bashkohen protestës, duke kërkuar angazhim më të madh qytetar.
Ai u shpreh se qytetarët duhet të kapërcejnë frikën dhe të marrin në dorë, sipas tij, fatin e vendit. Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi që kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha të përballen me drejtësinë.
“Rama në burg, Berisha në burg”, deklaroi ai. Xhemalaj falënderoi publikisht dhe këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, që mbështeti protestën.
“Kisha një falënderim të veçantë për një artiste të veçantë, Dua Lipën, që të rreshtohej pranë këtij sheshi dhe të dilte kundër këtyre padrejtësive. I bëj thirrje artistëve që të rreshtohen pranë nesh.”
Në përfundim, ai theksoi se protestuesit do të vijojnë tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. “I bëj thirrje intelektualëve që të vinë, të vrasin frikën, të bashkohen në këtë shesh. Të mundin frikën si ne dhe të marrim në dorë fatin e vendit. Rama në burg, Berisha në burg. Kisha një falënderim të veçantë për një artiste të veçantë, Dua Lipën, që të rreshtohej pranë këtë sheshi dhe të dalë kundër këtyre padrejtësive. I bëj thirrje artistëve që të rreshtohen pranë nesh. Të dalim pro nesh dhe të rrëzojmë këtë sistem. Do të jemi këtu deri në plotësimin e 5 pikave. Nuk dorëzohemi, deri në dorëheqjen e Ramës.”, tha ai.
