Familja e Mikael Shumaker vazhdon të mbrojë me shumë kujdes privatësinë e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, por deklaratat e fundit të bashkëshortes së tij, Korina, në kuadër të një dokumentari për legjendën e F1, zbulojnë një pjesë të realitetit me të cilin familja përballet prej më shumë se një dekade.

Që prej 29 dhjetorit 2013, kur ish-piloti i Ferrarit pësoi aksidentin gjatë skijimit, jeta në familjen Shumaker ka ndryshuar tërësisht. “Ka qenë vetëm një çështje fati të keq. Gjithë fatkeqësia që një njeri mund të ketë në jetë”, janë fjalët e Korinës duke iu referuar atij momenti tragjik. “Mikaeli më mungon çdo ditë. Por ai nuk më mungon vetëm mua, u mungon fëmijëve tanë, familjes sonë, babait të tij. Të gjithëve. Megjithatë, Mikaeli është këtu.

Ai është ndryshe, por është këtu. Dhe kjo na jep forcë”, ka rrëfyer Korina Shumaker. Në dokumentar shfaqet gjithashtu kujtimi i Mikaelit në jetën private, një njeri i gëzuar dhe shumë larg imazhit të pilotit të ftohtë e llogaritës që publiku shihte në pistë. “Në festa ishte gjithmonë i pari që mbërrinte dhe i fundit që largohej. Qeshnim shumë. Nuk kishte zë të mirë, por gjithmonë këndonte ‘My Way’, sepse i dinte të gjitha fjalët”, kujton Korina.

GJENDJA E SHUMAKERIT

Rreth gjendjes shëndetësore të Mikael Shumakerit vazhdon të mbizotërojë një heshtje pothuajse absolute, e ndërprerë vetëm nga spekulime mediatike të pakonfirmuara, si hipotezat për një sindromë të mundshme bllokimi, apo zërat për një paraqitje të tij në dasmën e vajzës së tij. Ajo që dihet me siguri është se ish-piloti merr frymë në mënyrë të pavarur dhe i nënshtrohet trajtimeve të vazhdueshme fizioterapeutike për të ruajtur tonusin muskulor, megjithëse nuk është në gjendje të flasë apo të lëvizë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb