Një sizmolog amerikan është mbajtur i ndaluar në Kinë për gati dy vjet nën akuzat për spiunazh, ndërsa familja e tij ka bërë publike çështjen duke kërkuar më shumë presion nga administrata amerikane për sigurimin e lirimit të tij.

Bëhet fjalë për Yulin Chen, një studiues amerikan puna e të cilit në zbulimin dhe monitorimin e testeve bërthamore nëntokësore është financuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Organizata Global Reach, e cila përfaqëson familjen e tij, deklaron se Chen është i vetmi shtetas amerikan i njohur zyrtarisht nga Uashingtoni si person i “ndaluar gabimisht” në Kinë.

Chen u arrestua në nëntor të vitit 2024 dhe që prej atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa familja e tij thotë se nuk ka pasur përparim në përpjekjet diplomatike për lirimin e tij.

Sipas Global Reach, çështja e tij u ngrit gjatë takimit të presidentit amerikan Donald Trump me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin në muajin maj. Trump, sipas organizatës, i kërkoi homologut të tij kinez lirimin e sizmologut amerikan.

Megjithatë, familja e Chen thotë se autoritetet kineze nuk kanë ndërmarrë hapa pas kësaj kërkese. “Familja e Chen po flet hapur për herë të parë për këtë çështje, sepse qeveria kineze nuk ka vepruar sipas kërkesës së Presidentit Trump për lirimin e tij”, thuhet në deklaratën e Global Reach. Eric Lemson nga kjo organizatë paralajmëroi se nëse çështja nuk zgjidhet së shpejti, ajo mund të rikthehet në tryezën e diskutimeve gjatë takimeve të ardhshme mes Xi Jinping dhe Donald Trump.

“Kam më shumë se 600 ditë që nuk kam qenë në gjendje të flas me bashkëshortin tim”, deklaroi gruaja e Chen, Yufang Rong.

Ajo ka mohuar akuzat për spiunazh ndaj bashkëshortit të saj, duke thënë se puna e tij ishte publike dhe shkencore. “Ai nuk ka pasur kurrë akses në informacione të klasifikuara të sigurisë kombëtare nga qeveria amerikane. Të sugjerosh se ai ishte i përfshirë në spiunazh është e pavërtetë dhe bie ndesh me natyrën publike dhe bashkëpunuese të punës së tij”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme kineze ka mohuar pretendimet për një ndalim të padrejtë. Një zëdhënës diplomatik kinez deklaroi se në Kinë nuk ekziston “asnjë rast i një paraburgimi të dyshuar padrejtësisht”. Çështja e Yulin Chen vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Pekinit për çështje të sigurisë, teknologjisë dhe shkëmbimeve shkencore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: