Kane Yamal, vëllai i vogël i superyllit të Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, është kthyer në një nga figurat më të dashura të tifozëve gjatë Kupës së Botës. Trevjeçari tërhoqi sërish vëmendjen e kamerave pas fitores së Spanjës 2-0 ndaj Francës, rezultat që i siguroi ekipit iberik një vend në finalen e turneut. Në momentet pas përfundimit të ndeshjes, kamerat e Fox Sports kapën momentin kur Kane ngriti dorën dhe përshëndeti vëllain e tij 19-vjeçar, ndërsa ai po festonte me ekipin. Pamja emocionuese u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, ndërsa tifozët vlerësuan lidhjen e veçantë mes dy vëllezërve. Kane është bërë një personazh shumë i ndjekur gjatë Botërorit, falë reagimeve të tij spontane, festimeve dhe shprehjeve të fytyrës sa herë që Lamine Yamal dhe Spanja shënojnë gola.
Gjatë fitores 3-0 të Spanjës ndaj Austrisë, kamerat filmuan trevjeçarin teksa shpërtheu në festë pas golit të tretë të ekipit të tij të zemrës. Videoja mori miliona shikime, me tifozët që u mahnitën nga entuziazmi i tij dhe dashuria për vëllain.
Vetë Lamine Yamal ka folur me emocion për marrëdhënien me vëllain e vogël. “Jam i prekur që e shoh vëllain tim kaq të lumtur. Edhe nëna ime është e lumtur, sepse sot po jeton jetën që gjithmonë ëndërronte. Kjo do të thotë shumë për mua”, është shprehur ylli i Barcelonës. Kane u bë viral edhe pas fitores së Spanjës ndaj Belgjikës në Los Angeles, kur kamerat e stadiumit SoFi e kapën duke nxjerrë gjuhën jashtë gjatë festimeve. Lamine Yamal e pa momentin në ekran dhe shpërtheu në të qeshura. Sipas tij, kjo nuk ishte një surprizë, pasi vëllai i vogël ia kishte treguar paraprakisht planin.
“Isha te fizioterapisti dhe ai më telefonoi duke përdorur telefonin e nënës sime. Më tha se do të nxirrte gjuhën jashtë ditën tjetër. Kjo është arsyeja pse kur e pashë në ekran, qesha aq shumë”, ka treguar Lamine. Kane është bërë një figurë e njohur në rrjetet sociale edhe falë videove të publikuara nga vëllai i tij. Në një prej tyre, ai shihet duke tentuar të godasë një top golfi, por dështimet e njëpasnjëshme e kthyen momentin në një tjetër video virale. “Vëllai im i vogël do të thotë gjithçka për mua. Jam i dashuruar me të. Ndihem sikur është djali im”, ka thënë Lamine Yamal.
Cute moment between Keyne Yamal and his older brother Lamine after reaching the final. 🥹🇪🇸 pic.twitter.com/vnkakaqBfD
— Adi Alardah (@alardah91) July 14, 2026
