Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa balistike ndaj Kievit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndërsa objektiv i goditjeve ishte infrastruktura e kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve ukrainase, nuk janë raportuar viktima nga sulmi.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një depo në periferi perëndimore të qytetit u godit, ndërsa mbetje raketash ranë edhe në një zonë në anën tjetër të lumit Dnieper. Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan se raketa të tjera ishin në drejtim të kryeqytetit dhe u bënë thirrje banorëve të strehoheshin.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Kievin për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Ndërkohë, edhe qyteti i Kharkivit në verilindje të Ukrainës u vu nën sulm me dronë, sipas autoriteteve lokale.

Kievi është goditur vazhdimisht nga raketa balistike ruse gjatë javëve të fundit. Këto armë konsiderohen veçanërisht të vështira për t’u interceptuar për shkak të shpejtësisë së tyre të lartë.

Autoritetet ukrainase raportuan se të paktën 13 persona humbën jetën dhe rreth 50 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore ruse të zhvilluara të mërkurën në disa rajone të vendit.

Në rajonin e Sumyt, tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën, përfshirë një 16-vjeçar, pas sulmeve me bomba rrëshqitëse.

Rajoni i Odesës u godit për të pestën ditë radhazi, ku sulmet me raketa dhe dronë lanë tre të vdekur dhe tetë të plagosur.

Viktima u raportuan gjithashtu në Mykolaiv, Kryvyi Rih, Donetsk dhe Zaporizhia, ku tre persona humbën jetën dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia përdori gjithsej 122 dronë gjatë sulmeve të fundit. Autoritetet ukrainase deklaruan se mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë 101 dronë dhe dy raketa.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa sipas të dhënave të OKB-së, muaji qershor ishte një nga periudhat më vdekjeprurëse për civilët që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb