Protesta e ditës së 47-të përpara godinës së Kryeministrisë po vijon me fjalime të forta të qytetarëve dhe aktivistëve që kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë fjalës së tij në mikrofon, një prej protestuesve ka ngritur zërin për vendimin e debatueshëm mbi zonat e mbrojtura, duke u ndalur njëkohësisht edhe te përgjegjësia ligjore e kryeministrit Edi Rama për aferat e shumta korruptive.

Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka mbajtur të njëjtin qëndrim me qytetarët e revoltuar sa i përket mbrojtjes së mjedisit, ndërsa i ka bërë thirrje të hapur SPAK-ut që të mos ndalet përpara kreut të qeverisë.

Protestuesi vuri në dukje se reagimet ndërkombëtare, veçanërisht ato nga Bashkimi Evropian, konfirmojnë se kauza e qytetarëve në shesh është e drejtë dhe legjitime.

“BE ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar qeverisë atë që i kemi kërkuar ne, anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura! I kërkojmë gjithashtu SPAK që të vazhdojë hetimet, në rast se i ka nisur hetimet të mos i ndalojë deri sa të vendoset para akuzës Edi Rama!” u shpreh ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve.

Në fjalën e tij, qytetari ngriti pikëpyetje të forta mbi drejtësinë e re dhe mosndjekjen penale të kryeministrit, teksa shumë prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë ndodhen sot prapa hekurave apo nën hetim zyrtar.

“Si ka mundësi që një kryeministër që ka shumë ministra të akuzuar dhe disa në burg, të mos merret si i pandehur?! A ka mundësi që gjithë këto afera të kësaj qeverie ndër vite të kenë ndodhur pa dijeninë e kryeministrit? Pse e ka emrin kryeministër, ai i drejton!” deklaroi i revoltuar protestuesi përpara selisë së qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb