Protesta e ditës së 47-të përpara godinës së Kryeministrisë ka vijuar me akuza të forta dhe kërkesa të drejtpërdrejta ndaj drejtësisë. Përveç thirrjeve për largimin e Edi Ramës, nga foltorja e improvizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vëmendja është zhvendosur edhe te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Një prej protestuesve i ka drejtuar një kërkesë publike dhe të prerë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe deputetëve të Kuvendit, duke kërkuar sqarime nëse ekziston një shkresë zyrtare për arrestimin e numrit dy të qeverisë.
Në fjalën e tij, qytetari i ka bërë thirrje hapur ligjvënësve shqiptarë që të nxjerrin në dritë çdo dokument të fshehur apo të protokolluar që lidhet me fatin ligjor të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Edhe një kërkesë për SPAK, duam të bëhet e qartë: a ka një kërkesë të dytë të protokolluar në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut? Ju bëj thirrje edhe deputetëve, nëse ka një dokument të tillë, të bëhet publik!” deklaroi protestuesi nga bulevardi.
Pas kësaj deklarate, thirrja e tij është pasuar nga brohoritjet në kor të qindra qytetarëve të pranishëm përpara Kryeministrisë, të cilët kanë bërtitur njëzëri: “Arresto Ballukun, arresto Ballukun!”.
