Në ditën e 47-të të revoltës popullore përpara godinës së Kryeministrisë fjalën e ka marrë edhe aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni.

Gjatë fjalës së tij në bulevard, Progni ka renditur arsyet e forta se përse ka zgjedhur t’i bashkohet kësaj proteste, duke prekur që nga problemet e përditshmërisë urbane e deri te presioni i egër që pushteti ushtron mbi familjet e thjeshta dhe administratën.

Eksperti i IT-së u shpreh se protesta nis nga dhimbja familjare dhe vështirësitë që has çdo qytetar shqiptar për shkak të kapjes së sistemit nga nepotizmi dhe interesat partiake. Ai denoncoi faktin se si familjarët e tij kërcënohen me largim nga puna thjesht sepse ai zgjedh të mos heshtë.

“Sot dua të flas dhe të bëj disa pyetje pse protestoj, pyetje që i bëjnë edhe patronazhistët. Unë protestoj për fëmijën tim që vritet në kokë në një shkollë private dhe nuk dërgohet për t’u mjekuar. Protestoj për nusen time, që për ta futur në punë duhet t’i lëpihem pushtetit e mos të protestoj. Protestoj për prindërit e mi që të mos i heqin nga puna vetëm se unë dal në protestë, për shkollën time që s’ka vlerë nëse nuk i lëpihem kryetarit të partisë së lagjes, dhe për vjehrrin tim që e heqin nga puna,” u shpreh Progni përpara protestuesve.

Më tej, Gent Progni u ndal edhe te kaosi urban që mbizotëron në kryeqytet, duke ironizuar dështimin e institucioneve si AKEP, si dhe bëri një thirrje të hapur e plot ironi për kushte më të mira ekonomike të vetë administratës dhe patronazhistëve.

“Protestoj edhe për gjëra të vogla, për kabllot që janë si rrjeta merimangash edhe pse jemi në vitin 2026 dhe AKEP është urdhëruar t’i heqë. Protestoj për ata që parkojnë në trotuar e bllokojnë rrugët. Protestoj për administratën që të ketë rroga më të mira, si dhe për patronazhistët që të mos hanë më sufllaqe, por të kalojnë tek mishi,” përfundoi fjalën e tij Progni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb