Një mesazh i fortë dhe mjaft kreativ ka mbirë pasditën e sotme në asfaltin përballë selisë së qeverisë, në ditën e 47-të të revoltës qytetare. Protestuesit kanë lënë një shkrim gjigant të pikturuar në tokë, pikërisht në sheshin ku zhvillojnë tubimet e tyre të përditshme, duke shpërndarë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për drejtësinë dhe pushtetarët.
Me shkronja të mëdha, qytetarët kanë shkruar frazën goditëse: “Rama-Balluku, SPAK YOU!”, si një thirrje revoltuese dhe ironizuese që kërkon vënien e menjëhershme përpara përgjegjësisë ligjore të dy figurave qendrore të kabinetit qeveritar.
Mbështetje për SPAK-un, por me kusht: Sytë tek “koka” e sistemit
Edhe gjatë tubimit të sotëm, mesazhet drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe GJKKO-së kanë qenë kryefjala e fjalimeve në bulevard. Aktivistët dhe qytetarët e shumtë ripërsëritën se mbështetja e tyre për institucionet e reja të drejtësisë nuk është një çek i bardhë, por vjen me kërkesën e prerë për të hetuar pa asnjë kompromis majat e pushtetit.
Nga foltorja, aktivisti Edison Lika ka qenë i prerë sa i përket kërkesës kryesore të këtij fillim-marshimi:
“Sigurisht, e kemi thënë dhe do ta themi, kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar!”
