Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar më tej, pasi forcat amerikane ndërmorën për natën e gjashtë radhazi një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, kryesisht në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas mediave iraniane dhe ndërkombëtare, shpërthime të fuqishme u raportuan në portin e Bandar Abbasit, ku u godit edhe një kullë telekomunikacioni, si dhe në qytetet Ahvaz, Bushehr – ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit – dhe Shirik. Një tjetër sulm goditi aeroportin Iransar në juglindje të vendit, ndërsa dy ura në jug të Iranit u shkatërruan.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se nga sulmet amerikane humbën jetën dy persona dhe tetë të tjerë mbetën të plagosur.

Alarm në Kuvajt dhe Bahrein

Tensionet u përhapën edhe në vendet fqinje të Gjirit Persik. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga raketat dhe dronët.

Autoritetet sqaruan se zhurmat e forta të dëgjuara në disa zona të vendit ishin rezultat i operacioneve të mbrojtjes ajrore për neutralizimin e objektivave ajrore.

Sirenat e alarmit u aktivizuan edhe në Bahrein. Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ruanin qetësinë dhe të drejtoheshin në vendet më të afërta të sigurta.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria e Republikës Islamike kishte shënjestruar helikopterë dhe avionë amerikanë në një bazë ajrore në Bahrein, duke e cilësuar këtë si një kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi territorin iranian.

Shpërthime edhe në Katar

Shpërthime të forta u raportuan edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit, sipas dëshmive të publikuara nga agjencitë e lajmeve.

Autoritetet e Katarit dërguan fillimisht një alarm sigurie në telefonat celularë të qytetarëve, duke paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm. Pak minuta më vonë, një njoftim i dytë zyrtar bëri të ditur se kërcënimi ishte eliminuar dhe se situata ishte rikthyer në normalitet.

Përshkallëzimi i fundit rrit ndjeshëm shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik, një zonë me rëndësi strategjike për tregtinë globale të naftës dhe sigurinë ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb