Autoritetet italiane kanë arrestuar një 17-vjeçare, e dyshuar se ishte përfshirë në rrethe ekstremiste islamike dhe se po përgatitej të merrte pjesë në sulme terroriste. Vajza, me shtetësi italiane, u ndalua më 17 korrik nga policia në qytetin e Pavias, në veri të Italisë, dhe më pas u dërgua në një komunitet të posaçëm për të mitur, sipas procedurave të parashikuara nga autoritetet.

Sipas hetimeve, e cituara nga Agjencia e Lajmeve të Athinës, 17-vjeçarja kishte krijuar të paktën katër profile në platforma online dhe në grupe të mbyllura ku anëtarësimi ishte i mundur vetëm përmes ftesave.

Hetuesit zbuluan se këto hapësira në internet lidhen me qarqe të propagandës xhihadiste, ku shpërndaheshin materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS, si dhe përmbajtje që nxisnin dhunën dhe sakrifikimin e jetës në emër të ideologjisë së Shtetit Islamik. Gjatë kontrollit të komunikimeve online, autoritetet sekuestruan edhe biseda të shkruara, në të cilat, sipas hetuesve, e mitura shprehte gatishmërinë për të kryer një sulm terrorist dhe për të sakrifikuar jetën e saj.

Hetimi vijon për të zbardhur shkallën e përfshirjes së saj, kontaktet e mundshme me persona të tjerë dhe nëse ekzistonte një plan konkret për kryerjen e ndonjë sulmi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: